Kryesore Hahn kundër ministrave të LSI për bordin e ONM-së

Hahn kundër ministrave të LSI për bordin e ONM-së

Shqetësimit të ministrave të LSI-së, Gjosha dhe Vasili, për antikushtetutshmërinë e Bordit të Menaxhimit të ONM-së i ka dhënë përgjigje Komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn.

Ai ka theksuar se nuk sheh asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese në Bordin e Menaxhimit të ONM-së, struktura që do të menaxhojë ndërkombëtarët e Vetingut, raporton shqiptarja.com

Në letrën e saj ministrja e Integrimit shprehej se Calavera kishte anashkaluar institucionet kyçe të drejtësisë dhe integrimit mbi operacionin e monitorimit dhe bordin drejtues të tij, bord i cili nuk figuron në kushtetutë.

Por komisioneri Hahn sqaron se në 7 shkurt kryetarja e Bordit të Monitorimit i kishte dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrit, Engjëll Agaci ku detajonte profilet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të BE-së dhe SHBA-së, pjesë e stafit të saj.

“Në të njëjtën letër zonja Calavera ka dhënë informacion të detajuar për të gjitha aspektet kryesore të organizimit të brendshëm administrativ të ONM-së, siç është rënë dakord ndërmjet shërbimeve të Komisionit Evropian në dhe Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës” shkruan Hahn ku ndër të tjera në letër sqaron:

“Bordi nuk është një organ mbi OMN, por është një pjesë thelbësore e tij, duke garantuar vazhdimësinë administrative, koordinimin e aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në OMN, ndërvepron me autoritetet përkatëse vendas dhe mbikëqyr monitorimin, protagonistët e të cilit i cakton ky bord Drejtues” thotë Hahn.

Komisionieri nënvizon gjithashtu se përveç letrës së Gjoshës që iu drejtua personalisht, letra e Vasilit iu përcoll nga ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin.

Por duke pasur parasysh që Vetingu është kusht kyç për hapjen e negociatave dhe BE ka dhënë për këtë proces 10 milion euro, do të ishte mirë që qeveria shqiptare të ishte e unifikuar.

“Në këtë drejtim OMN luan një rol të rëndësishëm për kredibilitetin e të gjithë procesit të Vetingut dhe kam besim se Qeveria e Shqipërisë në tërësi ka të njëjtin kuptim të procesit të mësipërm dhe vazhdon të mbështesë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar” mbyll letrën e tij komisioneri Hahn.