Dega Durrës i ka propozuar kryesisë së PD emrin e Luan Hotit për të kandiduar për kryetar bashkie në këtë qytet në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Për Hotin, tashmë vendimin pritet ta marrë kryesia e Partisë Demokratike. Ky është emri i parë që është bërë publik deri tani nga Partia Demokratike, ndërsa Rithemelimi dhe Partia Socialiste kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre në 6 bashki të vendit.
Në Durrës, Rithemelimi do të kandidojë me Ardi Mukën, ndërsa PS me Emiriana Sako.
Pas propozimit nga dega e PD në Durrës për Luan Hotin si kandidat në lokalet e 6 marsit, në zyrën e Bashës ka mbërritur një tjetër propozim.
Mësohet se dega e Rrogozhinës ka publikuar emrin e Ferdinant Saracit për kryetar bashkie. Aktualisht Saraci është kryetari i degës së PD në këtë qytet.
Kandidatët duhet të marrin miratimin e kryesisë së PD që të dalin me 6 emra përfundimtarë.
Partia Socialiste ka zyrtarizuar Edison Memolla për këtë bashki, ndërsa Rithemelimi do të kandidojë me Hekuran Xhanin.