Për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci, Julian Sinanaj është “veza e artë” e policisë shqiptare këto 30 vite. Beci tha se Sinanaj është një nga personat e penduar të drejtësisë më të rëndësishëm që ka Shqipëria.
Eugen Beci: “Unë po flas që në momentin e parë që kemi marrë sinjalin që Ndriçim Gjokona ishte serioz për t’u ndjekur. E morëm nga policia e cila ishte në ndjekje të disa personave. Nuk e besonin Ndriçimin dhe me të drejtë nuk e besonin se mbase nuk kishte vlerë. Më kupton? U ndoq këmba këmbës personi tjetër. Po e them me përgjegjësi, në rast se ka Shqipëria ndonjë person të penduar të rëndësishëm, Julian Sinanaj, ka qenë “veza e artë” e policisë shqiptare këto 30 vite. 25 vjet (burgim) i mori sepse u prish marrëveshja. Marrëveshja u prish për mosbesim në organet e drejtësisë”.
Çështja e dënimit të Sinanajt me 25 vjet burgim u bë temë debati me ish-prokurorit dhe gazetarit Artan Hoxha. Gazetari u shpreh se marrëveshja e bashkëpunimit me drejtësinë me Sinanajn u prish sepse ky i fundit ka nxjerrë gjëra shumë të mëdha. Por ish-prokurori Beci tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se marrëveshja është prishur për shkak se Sinanaj ka nisur të dyshojë në besueshmërinë e organeve të drejtësisë. Po ashtu, Beci tregoi se si ka dalë në publik fotoja e kartës së identitetit të Julian Sinanajt.
Artan Hoxha: “Pse u prish marrëveshja me Julian Sinanajn që është vrasësi me pagesë më i trajnuari që ne kemi parë deri më tani në gjykim. Pse u prish marrëveshja me Julian Sinanajn? Sepse, unë kam një regjistrim të asaj që ka thënë ai, por krijon shumë problem ajo, sepse kur ka dhënë deklarim ai, policia dhe prokuroria kanë marrë ça kanë dashur këta dhe jo ça ka thënë ai. Ai ka nxjerrë gjëra shumë të mëdha. Julian Sinanaj ka nxjerrë gjëra shumë të mëdha. Ça i kanë thënë këta? I kanë thënë stop, deri këtu. Këto tjerat mbaji për vete se nuk na duhen”.
Eugen Beci: “Nuk duhet të spekulojmë. Është marrë gjithçka!“
Artan Hoxha: “Pse u prish marrëveshja?“
Eugen Beci: “Ta them unë. Marrëveshja u prish sepse filloi të krijojë dyshime në besueshmërinë e organeve të drejtësisë. Këtë përktheje ti se çfarë dua të them unë. Për Julian Sinanajn dua t’ju tregoj një detaj shumë interesant të policisë dhe medias. Tentuam se kishim disa ditë që e kishim shoqëruar dhe i thamë policisë mos nxirr konferencë për shtyp sepse duhej mbajtur shumë sekret. Çfarë ndodhi? Policia e Shtetit kur bëri konferencën për shtyp kapëm dy persona për armëmbajtje pa leje dhe në tavolinën e provave materiale la dhe kartën e identitetit të Julian Sinanajt. Dhe aty e mori shtypi!”