Kryeqyteti historik i Spanjës i ka të gjitha. Madridi është një qytet që gëlon gjatë 24 orëve.
Dikur shtëpia e lëvizjes kundërkulturore ‘La Movida’ të viteve 1970, e cila solli një përhapje të bandave të artit alternativ në të gjithë rajonin, Madridi vazhdon të mbetet kryeqendra e artistëve dhe tregtarëve të artit, edhe sot e kësaj dite.
Gjithashtu, edhe kuzhina e qytetit është duke lulëzuar, ndërsa parqet dhe hapësirat e gjelbra më pak të njohura që ndodhen jashtë qendrës po marrin më në fund vëmendjen që meritojnë.
“Njerëzit që vijnë në Madrid zakonisht kalojnë, sipas shifrave aktuale, dy netë e gjysmë këtu,” thotë Héctor Coronel, Drejtor i Përgjithshëm i Turizmit për Këshillin e Madridit.
“Por, ne duam që njerëzit të qëndrojnë më gjatë, sigurisht. Merreni me ngadalë, nuk keni pse të nxitoni, sepse Madridi meriton shumë më tepër se kaq, ndoshta edhe katër apo pesë ditë”.
Si të hani si një madrilen
Kuzhina e Madridit është përhapur shumë gjatë viteve të fundit, pasi numri i tregjeve, bareve dhe restoranteve është rritur në të gjithë qytetin. Megjithatë, potenciali gastronomik i tij nuk doli në pah brenda natës. Kultura e kuzhinës së Madridit daton qindra vjet më parë, siç thotë Coronel.
“Gjithçka ndodh rreth tryezës. Eksperienca më e mirë është të uleni me njerëzit tuaj dhe të shijoni tapas. Sigurisht që ne kemi edhe restorante me yje Michelin, por kemi edhe restorantin më të vjetër në botë, Restaurante Botín. Madridi tani po lulëzon në fushën e kuzhinës.”
Kjo ka bërë që në të gjithë qytetin të hapen tregje të reja, restorante dhe shumë atraksione të tjera të lidhura me kulinarinë, madje edhe gjatë periudhës së pandemisë, shpjegon Coronel.
“Në këtë periudhë, nëse shkoni në një restorant, nuk do ta keni të lehtë që të rezervoni për në fundjavë. Kjo nuk ndodh për shkak se ne kemi kuzhinierë shumë të njohur, por arsyeja është se njerëzve u pëlqen të kënaqen dhe të kalojnë bukur. Kështu është kultura jonë.”
Tapas ka lavdinë e vet në Madrid, por nuk keni pse të hani të njëjtën gjë çdo natë. Qendra e re luksoze Galería Canalejas Food Hall është shtëpia e 13 restoranteve, duke përfshirë kuzhinën italiane, japoneze dhe atë të miksuar, në një mjedis tepër magjepsës.
Megjithatë, nëse buxheti juaj nuk mjafton për të përballuar çmimet e restoranteve me yje Michelin, mund të shkoni në Yatai Market për të provuar ushqime të shijshme aziatike. Gjatë fundjavave do të shikoni se si njerëzit qëndrojnë në radhë të gjata për të provuar ushqimet e shijshme të këtyre vendeve.
Eksploroni anën artistike të Madridit
Madridi ka një nga koleksionet më të njohura të artit në Europë, me galeri me famë botërore dhe tregje më pak të njohura. Më i famshmi është Prado, muzeu kombëtar i artit në Spanjë, i cili mban vepra nga Goya, Rubens, Titian dhe El Greco.
Për diçka më bashkëkohore, Reina Sofia ofron disa nga veprat më të mëdha të artit të shekullit të 20-të, duke përfshirë punimet e Dali dhe Picasso. Shumica e njerëzve vijnë për të parë Guernicën, pikturën e Pikasos për Luftën Civile në Spanjë.
Nëse doni të shikoni të rejat më të fundit të artit, ka një vend tjetër që duhet vizituar, sipas Coronel.
“Salesas është një pjesë e Madridit, e cila ka galeri private që janë shumë të njohura në Gjermani, në Francë dhe në vendet nordike, ku normalisht njerëzit vijnë në Madrid një ose dy herë në vit për të parë dhe për të blerë art. Është shumë e pazakontë, jo shumë njerëz në Madrid e dinë këtë.”