Një moment i vetëm mund të të ndryshojë jetën. Përvojat janë nga më të ndryshmet, edhe në botën e futbollit. Mbrojtësit Pepe, njërit prej lojtarëve më agresivë të viteve të fundit, por edhe fitues me klubet ku ka luajtur, i ka ndodhur një histori e tillë.
Mbërritja në Portugali ka ndryshuar jetën e futbollistit. Vendi iberik u bë një shtëpi e dytë për të, më pas luajti dhe fitoi me kombëtaren portugeze, por fillimi ishte shumë i komplikuar, siç ka treguar së fundi vetë protagonisti për “Expresso”. Kampioni i Europës në 2016-ën, ish-lojtar i Real Madridit, ka shumë për të thënë.
Me shumë gjërash që mund të tregohen për 20 vjet karrierë, Pepe është ndalur në momentin e mbërritjes në Portugali. Normalisht, kur një djalosh 18-vjeçar shkon i vetëm në një vend të huaj, has vështirësi. Fati i vetëm i tij ishte që njihte gjuhën. Në vitin 2001 Pepe mori një ftesë nga Maritimo, skuadër e Madeiras, dhe fluturoi për në Portugali. Problemi ishte se mbrojtësi nuk ishte në kushtet më të mira ekonomike.
“Kur shkova në Portugali, kisha në xhep aq sa sot bëjnë 5 euro. Ishte te sektori i emigracionit, sepse shkova i vetëm nga Brazili. Isha 18 vjeç. Duhej të kisha me vete një faks të Maritimos, që duhej për të hyrë në Portugali. Me ato para duhej të blija një kartë telefoni për të telefonuar nënën që t’i thosha se isha mirë. Opsioni tjetër ishte që të blija diçka për të ngrënë. Mendova: ‘ok, po qetësoj nënën'”.
Është kjo skena që nuk mund të imagjinohet, kur bëhet fjalë për mbërritjen në aeroport të një futbollisti. “Mbërrita në orën 6 të mëngjesit dhe fluturimi tjetër ishte në orën 11 të mbrëmjes. Duhej të haja diçka. Shkova te një dyqan në aeroport dhe pyeta: ‘Keni diçka për të ngrënë?’. Shitësi më tha ‘po’, por unë i shpjegova se nuk kisha para. Më pa dhe pastaj më solli një panine.
Nga ai moment më erdhi dëshira për të ndihmuar ata që kanë më pak fat. Është një moment që ka lënë shenjë tek unë. Mbi të gjitha, sepse ai person nuk e dinte se kush isha, siç unë nuk e di ende kush ishte dhe për këtë më vjen shumë keq. Ai gjest më ka ndihmuar gjatë gjithë jetës sime”. Dhe për një karrierë goxha të mirë…