Pas takimit me kreun e UEFA, Aleksander Ceferin gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, kryeministri Edi Rama reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku zbuloi dhe temat kryesore të takimit.
Rama e vlerëson si një takim mjaft të mirë, ndërsa thekson se është folur për finalen e Ligës së Konferencës që do të mbahet në Tiranë dhe për zgjedhjet në FSHF.
“Takimi sot me Presidentin e UEFA-s s’mund të ishte dot më i mirë për qëllimin e përbashkët të zhvillimit në Tiranë të finales së parë europiane në histori, si dhe të realizimit të një procesi të besueshëm për të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e reja të FSHF”, shkruan Kryeministri.
Në vizitën e tij disa orëshe në Tiranë, presidenti i UEFA-s takoi fillimisht presidentin e FSHF, Armand Duka dhe më pas kryeministrin Edi Rama. Kreu i UEFA vizitoi për disa minuta federatën e futbollit në një takim më krerët më të lartë të saj. Në një intervistë të dhënë për Associated Press, Ceferin pranoi se ka marrë garanci se politika nuk do të ndërhyjë në punët e futbollit, veçanërisht në zgjedhjet për presidentin e saj.