Politika Blendi Fevziu zbulon çfarë thuhet në letrën e Rusisë drejtuar Shqipërisë

Blendi Fevziu zbulon çfarë thuhet në letrën e Rusisë drejtuar Shqipërisë

Blendi Fevziu ka komentuar në rubrikën “Milori Live” në Klan News, letrën e Rusisë drejtuar qeverisë shqiptare për të mbajtur një qëndrim të qartë në lidhje me krizën në Ukrainë.

Fevziu tha se në letër i kërkohet Shqipërisë që të mbajë një qëndrim nëse Ukraina po shkel disa marrëveshje ndërkombëtare të sigurisë.

Fevziu tha se nuk është e qartë nëse letra i ka ardhur Shqipërisë si pasojë e rolit të saj tashmë në Këshillin e Shqipërisë, apo i është dërguar njësoj edhe vendeve të tjera.

Megjithatë, sa i përket politikës së jashtme për Fevziun nuk ka dyshim për qëndrimin e Shqipërisë pasi është edhe anëtare e NATO-s.

Blendi Fevziu: Unë sapo u vura në dijeni në fakt, pra sapo mora tekstin, nuk e di nëse ky është një tekst standard, pra që i ka shkuar edhe vendeve të tjera, por specifikisht në këtë rast i drejtohet Shqipërisë, është shpërndarë nga ambasada ruse. Kërkon që Shqipëria të mbajë një qëndrim të saktë. Rusia po luan në aspektin ndërkombëtar duke cituar një sërë samitesh dhe dokumentesh ndërkombëtare të sigurisë dhe thotë “Përcaktohuni nëse Ukraina po i shkel këto marrëveshje globale”. Kërkon një qëndrim. Kam përshtypjen që kjo është për arsye se Shqipëria që nga Janari ka marrë vendin e saj në Këshillin e Sigurimit, pra luan një rol dhe ka një lidhje shumë më specifike se në ndonjë rast tjetër. Nga ana tjetër, unë e di që qëndrimi i Shqipërisë është i qartë, por ndoshta ka nevojë që ta bëjë të qartë edhe me shkrim qëndrimin e saj në raport me krizën në Ukrainë. Shqipëria është vend i NATO-s, është që prej vitit 2008, pra jemi 14 vjet anëtar i NATO-s. Shqipëria nuk mund të ketë një qëndrim të ndryshëm nga aleatët dhe as ka lënë dilemë që mund të ketë qëndrim të ndryshëm. Është hera e parë, nëse është vetëm për Shqipërinë sepse unë nuk e di specifikën.

Ka një lloj toni që ia kërkon Shqipërisë të prononcohet. Pra gati-gati ia kërkon. Shqipëria, kur bëhesh anëtar i Këshillit të Sigurimit ti duhet të mësohesh të jesh në tavolinë me të mëdhenjtë dhe të detyrohesh të mbash një lloj qëndrimi. Në këtë rast kam përshtypjen, nuk di rrethanat, thashë nuk e di nëse kjo letër është për Shqipërinë, apo edhe për Maqedoninë, për Kosovën, apo është një letër specifike për Shqipërinë si anëtar i Këshillit të Sigurimit. Pa u sqaruar kjo rrethanë nuk di të them dot. Por ka një dozë insistimi të ambasadës ruse për një qëndrim me shkrim të Shqipërisë. Pra që Shqipëria të prononcohet me shkrim për pozicionin që mban ndaj Ukrainës. Ishte befasuese akti që u bë publik nga ambasada ruse, por nuk kam informacion më shumë, do të mundohem më pas të kuptoj se çfarë ka ndodhur realisht. Por këto 2 vjet që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit, do të përballet me detyrimin që për kriza të mëdha, edhe globale, të mbajë qëndrimin e saj.

Shqipëria ka një politikë të jashtme të konsoliduar 30-vjeçare. Asnjë ndryshim politik në Shqipëri nuk është ndrysshim në politikën e jashtme. Pra vjen e majta apo e djathta, kursi i Shqipërisë për NATO-në dhe anëtarësimin në BE është i pandryshueshëm. Ne nuk jemi si në Mal të Zi kur ndryshimi i opozitës me qeverinë dhe e kundërta e orienton politikën pak më proruse ose ndryshe. Shqipëria ka kurs të qartë kështu që nuk shoh ndonjë dilemë për të mbajtur një qëndrim Shqipëria. Ndoshta e ka gjetur pak të papërgatitur. Nuk e dimë kur ka ardhur letra. Është bërë publike sot, por a ka ardhur sot, a ka ardhur dje, a ka ardhur para një jave. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë dhe duhet parë si do ta përdorë Rusia këtë.