Kompania ajrore WizzAir ka nisur fluturimet nga aeroporti i Kukësit. Mëngjesin e të premtes, avioni i kësaj kompanie u ul në pistën e aeroportit të Kukësi pas testimeve të suksesshme.
Destinacionet fillestare të WizzAir do të jenë drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës. Fillimisht fluturimet do të jenë dy herë në javë dhe do të zgjerohen më pas.
Ministrja e Transporteve, Belinda Balluku u shpreh se fluturimet ajrore të kompanisë WizzAir do të nisin nga muaji Maj.
“Jemi këtu me një nga kompanitë më të mëdha low cost të Europës e cila prek destinacione tashmë edhe jashtë kontinentit nga i cili ka nisur për të lançuar programin e ri të fluturimeve i cili nis nga Maji në aeroportin e Kukësit”, u shpreh Balluku.
Ministrja theksoi gjithashtu se aeroporti i Kukësit është certifikuar si pjesë e logjistikës së NATO-s.
“Ky nuk është një aeroport që i përket vetëm territorit shqiptar, ky është një aeroport rajonal i cili mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, atyre të Kosovës por edhe të Maqedonisë së Veriut. Ka qenë një rastësi e lumtur dje që kemi marrë konfirmim nga NATO për këtë aeroport. Aeroporti i Kukësit tashmë është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s dhe kjo tregon edhe njëherë që në këtë aeroport plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë teknike dhe të gjitha kërkesat e sigurisë të vendosura nga BE dhe nga NATO gjithashtu”, deklaroi ministrja Belinda Balluku.