Aktualitet Arrestohet noterja në Tiranë. Në nëntor 2021 iu vu tritol në makinë

Arrestohet noterja në Tiranë. Në nëntor 2021 iu vu tritol në makinë

Një notere është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Në pranga përfundoi Rezarta Koçi, 40 vjeç, pas një operacioni policor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme”, tha Policia.

Në nëntor të vitit të kaluar, makinës së saj të parkuar iu vendos tritol. Nga shpërthimi, i ndodhur në makinën e parkuar në Komunën e Parisit, pati vetëm dëme materiale, dhe nuk pati të lënduar.