Aktualitet Sekuestrohen mbi 1 milion euro të falsifikuara në Rinas, arrestohet kamerunasi

Sekuestrohen mbi 1 milion euro të falsifikuara në Rinas, arrestohet kamerunasi

Një shumë e konsiderueshme parash, të dyshuara të falsifikuara, është sekuestruar në aeroportin e Rinasit në hyrje të Shqipërisë. Plot 1 milion e 75 mijë Euro janë sekuestruar të dyshuara false, ndërsa në pranga ka rënë 35-vjeçari kamerunas Josoue Ngankam me leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë kontrollit nga shërbimet e policisë, në bagazhet e këtij shtetasi janë gjetur sasi e konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 milion e 75 mijë Euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë në vendin tonë, do të hidhte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.

Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”.