“Situata mbetet shumë e rrezikshme. Ekziston përqendrimi më i madh i forcave ushtarake në atë zonë, ndoshta që nga Lufta e Ftohtë: një gabim vlerësimi, një vendim i gabuar mund të shkaktojë luftën”, thotë për Corriere della Sera Leon Panetta, ish-kreu i CIA-s dhe më pas Sekretar i Mbrojtjes në administratën e presidentit Barak Obama, komenton manovrat ushtarake të Rusisë në kufi me Ukrainën.
Panetta flet për situatën e fundit, ku rusët pretendojnë se janë tërhequr dhe zbulon se CIA është në dijeni të çdo lëvizjeje që bën Vladimir Putini.
Kush po e fiton këtë luftë nervash?
Presidenti Biden ka dërguar një mesazh të fortë: Amerika dhe aleatët e saj janë të bashkuar dhe, nëse Rusia vendos të pushtojë, do të paguajë një çmim shumë të lartë. Unë mendoj se strategjia e Putinit është prishur për dy arsye: së pari, ai është mësuar të veprojë në hije, por inteligjenca amerikane e ka detyruar atë të veprojë hapur. Së dyti, ai nuk mendonte se do të paguante një çmim të lartë në rastin e një pushtimi, sepse në të kaluarën ka mundur t’i ikë dhe ka ndjenjën se SHBA-të dhe aleatët janë të dobët. Ai ndërhyri në Gjeorgji, Krime, Siri, Libi, bën luftën kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk u ndëshkua. Tashmë është bërë e qartë se do të ketë një çmim. Por përfundimisht nuk ka mbaruar. Kjo është pjesa e parë e një ndeshjeje të gjatë dhe të lodhshme ushtarake dhe diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë.
Si u arrit te zgjedhja amerikane për të përhapur kaq shumë informacione përmes shërbimeve të inteligjencës?
Në të kaluarën, agjencitë ishin më të kujdesshme, sepse kishin frikë të zbulonin burimet, por e kuptuan se mund të deklasifikonin me siguri shumë më tepër informacion. Ata zbuluan gjithçka që shohin rusët për të bërë: trupat në lëvizje, komunikimet në zinxhirin e komandës…
Ishte një ide e mirë të njoftohej se pushtimi do të bëhej më 16 shkurt? Amerika tani është duke u tallur nga komikët rusë dhe zëdhënësja e Kremlinit, e cila po kërkon data të reja për të planifikuar pushimet.
Nuk jam aq i sigurt se ata duhet të kishin parashikuar një datë të saktë. Natyrisht, ata po ndiqnin lëvizjet e trupave dhe vetë fakti që rusët po ndërtonin spitale në terren, sugjeronte se ata po përgatiteshin për pushtimin. Sigurisht që ka shumë inteligjencë – dhe shumë prej tyre ndoshta janë inskenuar nga rusët për të treguar se ata janë seriozë në lidhje me mundësinë e një pushtimi. Megjithatë, mendoj se inteligjenca bëri mirë që i dërgoi sinjalin rusëve, se ne e dimë saktësisht se çfarë po bëjnë dhe se nuk do të mund të na befasojnë në rast pushtimi. Ata tani bëjnë shaka për mospushtimin, por mendoj se do ta kenë të vështirë të mbajnë një forcë të madhe në kufi në dislokim të gatishmërisë luftarake. Ata do të duhet të vendosin nëse do të tërhiqen apo do të avancojnë.
A ka ndikuar tërheqja kaotike nga Afganistani në strategjinë e SHBA-së në Ukrainë?
Putini perceptoi dobësi në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët: për sa i përket Amerikës, ai e percepton atë nga katër administrata. Për shkak të asaj që ndodhi në Afganistan, por edhe për shkak të ndarjeve në demokracinë amerikane dhe NATO-n, lideri rus mendoi se ato ishin të cenueshme dhe se nëse ai do të vendoste një kontingjent të madh trupash në kufi, SHBA-të, Ukraina dhe aleatët do të dorëzoheshin, duke i dhënë atë çfarë donte. Nuk ka ndodhur, por ai do të vazhdojë të lobojë për kërkesat e tij. Mënyra e vetme për ta menaxhuar atë, është nga një pozicion fuqie.
CIA përdori të gjitha llojet e burimeve, duke përfshirë një spiun në Kremlin në vitin 2016 gjatë ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane. Por a ndihmon takimi me Putinin, siç bëri shefi i CIA-s, William Burns, për të “deshifruar” situatën dhe për të shmangur konfrontimin?
Rusia është një objektiv i vështirë, sepse vetë Putini është i izoluar. Edhe këshilltarët e tij kanë akses të kufizuar. Takimet me liderët dhe telefonatat me Biden janë gjithashtu të rëndësishme. Ato ndihmojnë për të kuptuar atë që ai mendon. Por Putini është KGB-ja dhe nuk mendoj se ne do të marrim atë lloj inteligjence që na tregon saktësisht se çfarë do të ndodhë, sepse në fund të fundit vendimi është në kokën e tij. Ne mund të përpiqemi të ndikojmë tek ai, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të vendosë.
Si do t’i përgjigjeni luftës hibride të Moskës?
Ne jetojmë në një kohë kur fusha kryesore e betejës nuk është ajo konvencionale, por ajo kibernetike, me potencialin për të paralizuar një vend tjetër. Presidenti tregoi se nëse rusët sulmojnë në domenin kibernetik, ne do të përgjigjemi. Unë do të rekomandoja të fillohet tani për të dobësuar strukturën e tyre komanduese dhe komunikimin. Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin viktimë e një sulmi të guximshëm kibernetik për të minuar institucionet elektorale, ne bëmë shumë pak. Është e rëndësishme që SHBA dhe aleatët e saj të përgjigjen në të njëjtën mënyrë.