Kulturë Kush është rusja 31-vjeçare që mashtroi elitën në New York?

Kush është rusja 31-vjeçare që mashtroi elitën në New York?

Seriali më i fundit i Netflix titullohet “Inventing Anna”. Ai u publikua më 11 shkurt dhe që nga ai moment ka dominuar vendin e parë sa i takon shikueshmërisë.

Krijimi i Shonda Rhimes, e cila ka krijuar gjithashtu serialet e njohura Grays Anatomy, Scandal dhe Bridgerton, sjell historinë e jetës së Anna Delvey.

Seriali ekspozon prejardhjen reale të Anna-s, emri i vërtetë i së cilës është Anna Sorokin, një grua ruse 31-vjeçare e cila pretendoi se ka një trashëgimi të madhe nga prindërit e saj. Ajo frekuentoi festat elitare të New York-ut, hotelet më luksoze dhe restorantet më të shtrenjta për vite me radhë.

Krijimi i Rhimes i lë njerëzit me kureshtjen se çfarë duhet të besojnë në të vërtetë dhe me këtë rast demaskon mashtrimin.

“E gjithë kjo histori është plotësisht e vërtetë. Përveç pjesëve që janë tërësisht të sajuara,” – shkruhet në episodin e parë.

E VËRTETË: Artikulli i New York Magazine frymëzoi gjithë hetimin

“Inventing Anna” i detyrohet një investigimi gazetaresk që është po aq i rëndësishëm sa vetë skandali.

Pa punën e Jessica Pressler, gazetare dhe redaktore në “New York Magazine” ky serial nuk do të ekzistonte.

GËNJESHTËR: Shefat e revistës druheshin nga publikimi i artikulli

Pressler ka bërë me dije se shefat e saj ishin shumë mbështetës për finalizimin e artikullit, ndërsa në serial rezulton sikur shefat donin që gazetarja ta mbante fokusin diku tjetër dhe jo të mashtrimet e Anna Delvey.

“Mendoj se qëndrimi i shefave në ‘Inventing Anna’ janë një shembull i zyrave patriarkale në përgjithësi,” – u shpreh gazetarja.

E VËRTETË: Anna Delvey bëri përpjekje të mëdha për të mashtruar qindra njerëz dhe banka

Në vitin 2017, Delvey u arrestua sepse mashtroi bankat, hotelet dhe të njohurit e saj duke shkaktuar një dëm prej 242 mijë eurosh. Seriali përshkruan me detaje punën e saj dhe mënyrën si ka vepruar.

Një nga aspektet më befasuese si të artikullit ashtu edhe të serialit është aftësia e Anës për të kaluar falas nga një hotel luksoz në tjetrin. Fasada e saj është e thjeshtë. Ajo qëndronte gjatë në një hotel dhe linte vazhdimisht bakshishe bujare.

“Do ta shoh kur të dal nga burgu”

E mbetur pas hekurave, Anna akoma nuk e ka parë serialin bazuar në jetën e saj, ndërsa shprehet se mezi pret ta shohë. Ajo tregon se me aq sa ka dëgjuar nga persona të tjerë, është e bindur se kujtimet e saj janë shumë më emocionuese në realitet. Madje ajo ka pohuar se është thuajse në fundin e librit ku ka përshkruar gjithçka ka ndodhur në jetën e saj të vrullshme.

Në intervistën e saj për Daily Mail, vajza që trazoi shtresat e larta në Nju-Jork, tregon se nuk është penduar plotësisht për veprimet që ka bërë, por nëse do të kthehej pas, do të kishte gjëra që do t’i bënte ndryshe.

Sipas, CNN, Sorokin ka shpenzuar pjesën më të madhe të shumës prej 320,000 dollarësh që ishte paguar për serialin, për të paguar borxhet në banka dhe gjoba të tjera.

Për më tepër, ndiqni serialin për të zbuluar skemat e mashtrimit të Anna-s.