Imazhi i njeriut është ngrirë në kohë shumë përpara shpikjes së aparatit fotografik, me anë të pikturës.
Zhanri i pikturës që ka njeriun si subjekt kryesor është portreti. Disa piktorë i portretizuan aq bukur njerëzit, sa pikturat e tyre bënë xhiron e botës duke u kthyer në imazhe të njohura për një pjesën më të madhe.
Shumë vepra arti si Mona Lisa e Da-Vinçit, apo Autoportreti i Van Goghut patën ndikim te publiku dhe mbeten në histori.
Një receptues i mirë i cili ka mundësinë për të shpërndarë atë që vlerëson, ndonjëherë mjafton që shumë njerëz të përjetojnë sikur edhe çastin e parë të “mahnitjes” nga një pikturë. Por, jo gjithmonë gjendet një i tillë, e jo gjithmonë veprat e artit kanë fatin që të mbërrijnë të populli.
Por disa portrete – të bëra nga artistët më të mirë të kohërave – e arritën qëllimin që të kenë kujt t’i flasin, e t’i tregojnë njeriut, njeriun.
Cilat janë 10 nga portretet më të njohura të historisë së artit?
1- Mona Lisa, ose ndryshe Xhakonda është pikturuar nga Leonardo da Vinçi rreth viteve 1503–1506. Mona Lisa është konsideruar si kryevepra e Rilindjes Italiane. Subjekti i portretit besohet të jetë i fisnikes italiane Lisa del Giocondo dhe ky portret është porositur nga i shoqi. Mona Lisa ndodhet aktualisht në Muzeun e Luvrit, në Paris.
2- Piktori holandez post-impresionist Vincent van Gogh, në vitin 1889 pikturoi në vaj “Autoportretin”. Ky autoportret është vetëm një nga rreth 32 të pikturuar nga Van Gogh gjatë një periudhe 10-vjeçare. Kjo pikturë ndodhet aktualisht në Muzeun d’Orsay, në Paris.
3- “Portreti i Armadës” shfaq Mbretëreshën Elizabeth I të Anglisë dhe Irlandës (1533-1603), të rrethuar nga simbolet e perandorisë në një sfond që përfaqëson humbjen e Armadës spanjolle në 1588. Ky portret ndodhet aktualisht në Woburn Abbey, në Angli.
4- “Vajza me vëthë perle” është piktura më e famshme e piktorit holandez Johannes Vermeer. Vepra e pikturuar në 1665, është bërë objekt për vepra letrare dhe kinematografike. Aktualisht ndodhet në koleksionin e Mauritshuis, në Hagë.
5- Portreti i Adele Bloch-Bauer I, i quajtur edhe “Portet i Gruas në Ar”, është një pikturë e Gustav Klimt, e bërë gjatë viteve 1903 – 1907. Portreti është porositur nga bashkëshorti i Adeles, Ferdinand Bloch-Bauer, një bankier hebre i kohës. Ky portret ndodhet aktualisht në Neue Galerie, në Nju Jork.
6- “Autoportret me majmunë” është pikturë e artistes Frida Kahlo, e porositur në vitin 1938 nga A. Conger Goodyear, atëherë president i Muzeut të Artit Modern në qytetin e Nju Jorkut. Ky është vetëm një nga autoportretet e pikturuara nga Kahlo për miqtë dhe klientët gjatë karrierës së saj. Ky portret ndodhet aktualisht në Albright–Knox, në Nju Jork.
7- “Zonja me hermelinë” është një portret që i atribuohet Leonardo da Vinçit, dhe që daton rreth 1489–1491. Subjekti është Cecilia Gallerani, një dashnore e Dukës së Milanos Ludovico Sforza. Kjo pikturë ndodhet aktualisht në Muzeun Czartoryski, në Poloni.
8- Autoportreti është një pikturë e realizuar në vitin 1548 nga artistja e Rilindjes Caterina van Hemessen, kur ajo ishte 20 vjeç. Piktura i dha Caterinës një reputacion të konsiderueshëm në kohën e saj, dhe ka rëndësi të madhe për shkak se është autoportreti më i hershëm modern femëror. Kjo pikturë ndodhet sot në Muzeun e Artit në Bazel, Zvicër.
9- Ky është një portret i dyfishtë, pikturuar nga Dirck Jacobsz rreth 1497–1567, që përshkruan prindërit e tij. Babai i tij, Cornelisz van Oostsanen, i cili ishte gjithashtu një artist, shfaqet duke pikturuar një portret të nënës së Jacobsz, Anna. Ky portret ndodhet aktualisht në Muzeun e Artit të Toledos, SHBA.
10- “American Gothic” është një pikturë e bërë nga Grant Wood në 1930. Wood u frymëzua nga ajo që sot njihet si Shtëpia Gotike Amerikane në Eldon, duke e pikturuar së bashku me “llojin e njerëzve që ai dëshironte të jetonin në atë shtëpi”. Piktura ka marrë emrin nga stili arkitekturor i shtëpisë. Kjo pikturë aktualisht ndodhet në Institutin e Arit në Çikago.