Fituesi i “Big Brother VIP” Ilir Shaqiri ka qenë i ftuar sot në një intervistë në “Top Albania Radio”, ku ndër të tjera ka komentuar lojën e konkurrentit të tij Donald Veshaj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Teksa gjithmonë gjatë rrugëtimit të tyre e ka shprehur vlerësimin për Donaldin si lojtar, së fundmi, balerini tha se beson që një nga arsyet pse ai nuk e fitoi çmimin e parë ishte pikërisht krisja e marrëdhënies së tij me ish të dashurën Bora Zemanin.
Ai tha se nuk ka dashur të ndërhyjë në lidhjen e Donaldit me Beatrix Ramosaj, por gjithmonë ka dashur t’i komunikojë atij se duhet ta kishte mbajtur e interpretuar atë që kishte me moderatoren e “Për’puthen”.
“Në qoftë se Donaldi do të kishte qenë inteligjent dhe ta kishte fokusuar veten në situatën me Borën, unë mendoj që do të fitonte. Nuk ndërhyra në raportin e tij me Beatrix sepse nuk kam dashur të interferoj në një lidhje. Donaldit ia thashë që mund ta kishte zhvilluar, mbajtur, interpretuar deri në fund atë që nisi me Borën, por nëse do ta kishte bërë mendoj që publiku do i kishte dhënë atë çmimin që aq shumë dëshironte.
Për sa i përket lidhjes me Trixën, nuk e kam mbështetur sepse nuk mbështes dashuritë që nisin brenda shtëpisë. Por kam shprehur që si ndjesi shikoja një Beatrix super të dhënë, një Donald shumë të ëmbël në drejtimin e saj dhe nuk kam dashur ta komentoj sepse duke goditur, përdorur, shfrytëzuar këtë lloj situate, do të kisha dëmtuar vetveten. Kjo mund të ketë qenë një lloj strategjie që duke mos komentuar lidhjen Donald-Beatrix, u gjenda jashtë komenteve, por në sytë e tyre unë shikoja alkimi. Me daljen e Trixës nisi një lloj krisje. Beatrix është një person shumë i dashur që jepet, Donaldi e kishte mendjen më shumë te loja se te dashuria”.