Duke shprehur solidaritetin me popullin e ukraines, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania do të koordinohet me udhëheqësit e G7 dhe BE-së për të vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë.
Scholz tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte krejtësisht i pajustifikuar dhe e quajti atë “lufta e Putinit”.
“Do të jetë e qartë se Putini ka bërë një gabim të tmerrshëm duke nisur këtë luftë dhe do të paguajë një çmim për këtë veprim. I bëj thirrje Putinit që menjëherë të ndalojë sulmin dhe te tërheqë plotësisht trupat e tij nga Ukraina”, u shpreh kancelari gjerman.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka reaguar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë. Ai tha se ndërhyrja ushtarake është e papranueshme.
Erdogan theksoi se Turqia ka marrëdhënie të ngushta me të dyja shtetet dhe do të bëjë pjesën e saj për sigurinë e Ukrainës.
“Veprimi ushtarak është i papranueshëm dhe ne e refuzojmë atë. Ky hap, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe një goditje për stabilitetin e rajonit. Na vjen keq që Rusia dhe Ukraina po përballen në këtë mënyrë, pasi ne i shohim të dyja si vende mike dhe kemi marrëdhënie të ngushta politike dhe sociale.
Ne do të bëjmë pjesën tonë për sigurinë e të gjithëve në Ukrainë, me të cilët kemi marrëdhënie miqësore, këtë ia shpreha edhe një ditë më parë Presidentit Vladimir Putin.
Sot, përtej lidhjeve tona historike, po them se Turqia është pjesë e Europës dhe përpjekjet e disa qarqeve për të përjashtuar vendin tonë nga Europa janë padyshim dashakeqe. Asnjë qytetar turk nuk mund të ndihet i përjashtuar, veçanërisht i poshtëruar”, tha Erdogan.
Boris Johnson e cilëson Putin si një “diktator
Britania e Madhe nuk mund të bëjë indiferenten ndaj Ukrainës, deklaroi sot kryeministri britanik, Boris Johnson pas shpalljes së luftës nga presidenti rus, Vladimir Putin kundër ish-republikës sovjetike.
”Pushtimi rus i paprovokuar në shkallë të plotë ishte një sulm ndaj demokracisë dhe lirisë”, tha kryeministri përpara sanksioneve të reja që do të shpallen sot në Dhomën e Komuneve.
Duke folur gjatë një fjalimi drejtuar kombit, Johnson tha se “Ukraina është një vend që për dekada ka gëzuar lirinë dhe demokracinë dhe të drejtën për të zgjedhur fatin e saj”.
Johnson e quajti presidentin Putin një “diktator” të prirur për të shkaktuar një “valë dhune”, ndërsa sugjeroi se raundi më i ri i sanksioneve do të synonte të pengonte ekonominë ruse.
“Misioni ynë është i qartë. Diplomatikisht, politikisht, ekonomikisht dhe përfundimisht ushtarakisht kjo sipërmarrje e shëmtuar dhe barbare e Vladimir Putin duhet të përfundojë në dështim”, theksoi kryeministri britanik./