Bota Jo të gjithë rusët i binden Putinit: Protesta në Rusi kundër pushtimit...

Jo të gjithë rusët i binden Putinit: Protesta në Rusi kundër pushtimit të Ukrainës (Video)

Ndërkohë që Rusia po sulmon ushtarakisht Ukrainën, në disa qytete ruse kanë nisur protestat kundër Presidentit rus Vladimir Putin.

Në Shën Petersburg qytetarët rusë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër luftës që Rusia po bën ndaj Ukrainës.

Forcat policore ruse tentuan të ndalonin protestat, megjithatë revolta e qytetarëve rusë ka vazhduar.

Mediat e huaja kanë publikuar edhe pamje të protestave që kanë nisur në Rusi kundër pushtimit të Ukrainës.

Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën në orët e para të mëngjesit të së enjtes duke goditur nga 3 fronte; Lindja, Veriu dhe Jugu.

“S’pranoj pagë nga një vrasës”

Figura publike në Rusi, mes të cilëve dhe gazetarë kanë dënuar pushtimin e Ukrainës nga  presidenti rus, Vladimir Putin.

“Ne rusët do të vuajnë pasojat e ditës së sotme për shumë vite”, shprehet ish-kandidatja për president, Ksenia Sobchak.

Një peticion kundër luftës nisi nga gazetarja Elena Chernenko, nënshkruar nga të paktën 100 gazetarë.

Kryeredaktori i “Novaya Gazeta”, fitues i çmimit Nobel për Paqen në 2021, Dmitry Muratov ka denoncuar veprimin e Putin. Ai thotë se pas kësaj ndihet i turpëruar dhe i zhgënjyer.

“Komandanti i forcave ushtarake mban në duar ‘butonin nuklear’ si të ishte çelësi i një makine të shtrenjtë. A është hapi tjetër luftë nukleare? Nuk mund t’i interpretoj ndryshe fjalët e Putin”, tha Muratov.

Në një video mesazh ku njoftoi se gazeta do të botohen në dy gjuhë në numrin e ardhshëm, ai thotë se “vetëm një lëvizje ruse kundër luftës mund të shpëtojë jetën në këtë planet”.

Yelena Kovalskaya, drejtore e Teatrit Meyerhold ka bërë të ditur dorëheqjen nga teatri shtetëror.

“Është e pamundur të punoj për një vrasës dhe të marrë pagë prej tij. Do të përfundoj punën që kam në dorë, por pa pranuar pagë”, shprehet ajo.

Në një letër të rreth 30 mediave të pavarura në Rusi thuhet se ato do të tregohen të ndershme me atë që po ndodh, duke u deklaruar kundër masakrës.

Më shumë se 150 shkencëtarë kanë firmosur një letër të hapur kundër veprimeve ushtarake të Rusisë mbi Ukrainën.

Një numër zyrtarësh të pushtetit lokal dhe figura të kulturës gjithashtu janë shprehur kundër luftës.