Bota Nis lufta në Çernobil, Europa rrezikohet nga retë radioaktive

Nis lufta në Çernobil, Europa rrezikohet nga retë radioaktive

Forcat ushtarake ruse kanë nisur sulmin mbi Çernobilin, që në rast shpërthimi të centralit bërthamor do të shkaktonte një re radiokative në të gjithë Evropën.

Sipas presidentit Ukrainas Volodymyr Zelensky, dyluftime të ashpra midis forcave ruse dhe atyre ukrainase po ndodhin në zonën në afërsi të centralit bërthamor të Çernobilit, i njohur botërisht për aksidentin radioaktiv të vitit 1986.

Sipas presidentit ukrainas, “okupatorët rusë po kërkojnë të rrethojnë centralin e Çernobilit. Ushtarët tanë po japin jetën që tragjedia e vitit 1986 mos të përsëritet, kjo është deklaratë lufte për të gjithë Europën”.

Në këtë betejë ekziston frika që të dëmtohet vendi i magazinimit të mbetjeve nukleare dhe në rast rrjedhjeje, do të përhapej.

“Në rast se dëmtohet vendi i magazinimit në Çernobil atëherë retë radioaktive mund të mbulojnë Ukrainën, Bjellorusinë dhe BE”, thotë Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë.

Nga luftimet e deritanishme nuk ka ende shifra të konfirmuara të viktimave, por një zyrtar nga Ukraina thotë se ka 40 të vdekur në krahun e tyre dhe 50 në krahun e Rusisë.