Opinione E vetmja mënyrë për të ndaluar çmendurinë e Putin është izolimi total...

E vetmja mënyrë për të ndaluar çmendurinë e Putin është izolimi total ekonomik i Rusisë

Nga Erion Kurti

Tashmë që vija e kuqe u kalua, që mekanizmi i luftës u vu në lëvizje, e vetmja mënyrë e efektshme për ndalimin e kësaj çmendurie është izolimi total ekonomik dhe financiar i Rusisë.

As NATO nuk ka çfarë të bëjë më tashmë, ky është një entitet ushtarak që në dorë ka vetëm luftën dhe presionin ushtarak. Putin ka treguar që nuk pyet as nga presioni prej tyre dhe nuk i trembet as luftës vetë me NATO-n (NATO nuk hyn në luftë, në të kundërt pasojat do të ishin të pallogaritshme).

Izolimi ekonomik dhe financiar do ta gjunjëzojë (nëse do të vazhdojë gjatë), burimet do të pakësohen, çmimet do të rriten, trazirat sociale do të jenë të pashmangshme, dhe do të dorëzohet nga pafuqia. Nëqoftëse bota mbarë do të bëhet bashkë, ose më saktë perëndimi, atëherë Rusia do të kthehet në një ishull që zor se kush do të mund ti afrohet të ankorojë. Një proverb i mençur thotë se “Pasuritë afrojnë shumë shokë, por të varfrin e braktis edhe ai shok që ka”. Pra, edhe ata manjatë rusë që mbështeteshin tek Putin (edhe e kundërta), do të largohen. Shpresoj që populli rus ta kuptojë këtë.

Pasojat në afatmesëm mbase do të shtriheshin përtej Rusisë, por tashmë perëndimi besoj se po mendon seriozisht për një rikonfigurim të vetvetes (ekonomik dhe të identitetit të vet).

Besoj se ky konflikt i hapur që Europës i erdhi në derë, ishte një shuplakë e mirë për BE-në e cila po humbte vetveten mes shkresave dhe proceseve të ngadalta të zgjerimit.

Besoj se (siç edhe po shihet dita-ditës) edhe shumë vende që lëkundeshin në lisharësen e politikës sa në perëndim dhe sa në lindje, që fshiheshin midis marrëveshjeve apo traktateve të mospozicionimit, mosveprimit apo “paqeve” individuale, tashmë e panë që duhet të mbajnë një pozicion të qartë!

Të gjitha vlerat romantike të lirisë dhe demokracisë së popujve, që njihet si identiteti kulturor dhe përparimtar i perëndimit, aty ku synonin vendet të shkonin, që lexoheshin thjesht në progres-raporte, tashme janë të rrezikuara seriozisht, mu në sytë e tyre.

Europa tashmë u zgjua nga gjumi, tashmë çdo formulë zgjerimi dhe pranimi nga ana e saj do të rishihen seriozisht dhe në mënyrë thelbësore.

Çdo opsion ushtarak është i pamendueshëm, pasi edhe pasojat do ishin të pallogaritshme.

Vetëm nëse Putin do ta shtypte vetë, në mënyrë të njëanshme butonin e kuq! Të jetë aq i çmendur vallë?!