Bota 5 viktima nga sulmi në kullën televizive të Kievit

5 viktima nga sulmi në kullën televizive të Kievit

Rusia ka sulmuar të martën me raketa antenën televizive të Kievit, duke shkëputur përkohësisht transmetimin e kanaleve, konfirmoi qeveria ukrainase.

5 persona kanë humbur jetën pas sulmit me raketa në antenën televizive të Kievit, ka konfirmuar shërbimi emergjencave të Ukrainës.

Ministri i jashtëm ukrainas tha se ky sulm ishte barbar, pasi kulla televizive është pranë memorialit që përkujton viktimat e Babyn Yar.

Babyn Yar ishte një nga masakrat më të mëdha ndaj hebrenjve nga nazistët.

Ministri i jashtëm ukrainas shkroi në twitter, se “kriminelët rusë nuk ndalohen para asgjëje me barbarizmin e tyre. Rusi = barbarë.”

Kulla televizive ndodhet në zemër të Kievit, e ngritur në vitin 1973 është e dyta më e larta në botë në llojin e vet, pas asaj të Tokios në Japoni. Mediat perëndimore shkruajnë se transmetimet janë ndërprerë, por kulla mbetet në këmbë edhe pas goditjes. Televizioni lokal “1+1”, tha se po punohet për të rikthyer sinjalin.

Zhvillimet kryesore të luftës në Ukrainë: 

Sot është dita e gjashtë e luftimeve në Ukrainë që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” në mëngjesin e 24 shkurtit.

Një autokolonë ushtarake ruse afro 65 kilometra e gjatë ka mbërritur në periferinë e Kievit, sipas pamjeve reja të kapura nga satelitët.

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky nënshkroi të hënën aplikimin për anëtarësim në BE.

Raundi i parë i bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë ka përfunduar. Negociatorët janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime para raundit të dytë që pritet të zhvillohet në ditët në vijim.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve Bashkuara ka nisur të hënën seancën e jashtëzakonshme ku pritet të dënohet sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mëngjesin e së hënës në Kiev dhe Kharkiv, ndërsa një ndërtesë banimi në qytetin Çernihiv është goditur me raketë.