Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka thirrur sot në një takim të posaçëm përfaqësues nga trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë për të informuar mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë lidhur me agresionin mbi Ukrainën. Ajo i njohu ambasadorët me hapat e ndërmarra nga Shqipëria në mbështetje të Ukrainës.
“Shqipëria po bën gjithçka që mundet, në maksimumin e aftësive dhe kapaciteteve të saj. Vetoja e Rusisë bllokoi miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Por ky nuk ishte fundi i rrugës dhe rezoluta po diskutohet me të gjithë botën në Asamblenë e Përgjithshme, ku jemi optimistë, se falë përpjekjeve të të gjitha vendeve tuaja dhe shumë të tjerave, kjo rezolutë do të kthehet në një ushtrim që demonstron përkushtimin e botës ndaj Kartës së OKB-së dhe ndaj parimeve bazë të sistemit të bazuar në rregulla që ne kemi rënë dakord të respektojmë. Kam udhëzuar të gjitha ekipet shqiptare, në OKB, OSBE, Këshillin e Evropës, Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe çdo forum tjetër ndërkombëtar apo rajonal, që të miratojnë të njëjtën qasje proaktive në mbështetje të Ukrainës dhe në denoncimin ndaj Rusisë”, u shpreh Xhaçka.
Ministrja Xhaçka deklaroi se ngjarjet në Ukrainë dëshmojnë se izolimi i Ballkanit Perëndimor është kosto e lartë për BE.
“Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit. Sinjalet që po marrim tani tregojnë se BE-ja është e fokusuar tani siç nuk ka qenë për një kohë. Nëse BE-ja është e bashkuar dhe e përkushtuar, nëse tregon të njëjtën vendosmëri siç po tregon në mbështetje të Ukrainës tani, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më i prekshëm ndaj përpjekjeve për të nxitur telashe dhe grindje dhe do të përfitojë siguria e Evropës në tërësi”, nënvizoi mes të tjerash ajo.
Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Shkurov vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë ndërsa theksoi se pavarësisht provokimeve, sistemet bazë të vendit të tij dhe sektori i energjisë po funksionojnë qëndrueshëm.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha se “jemi të gjithë të befasuar me veten – për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën; kjo nuk vjen pa sakrifica – me mënyrën se si ne po i përgjigjemi, duke i dalë në mbrojtje Ukrainës, por edhe duke dalë në mbrojtje të mënyrës sonë të jetesës”.
Sipas ambasadorit të delegacionit të BE, Luiggi Soreca, Komisoni Evropian po shqyrton aplikimin direktivës së mbrojtjes së përkohshme, e cila nëse miratohet nesër në Këshillin e Ministrave te Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së do të sigurojë një mbrojtje të plotë për qytetarët ukrainas deri në tre vite në secilin vend të BE-së.
Në takim, ku u shpreh mbështetja për bashkëpunim për përballimin e situatës së vështirë, morën pjesë ambasadorja e SHBA, ambasadori i BE, i Ukrainës, i vendeve anëtare të NATO e BE, të rajonit dhe të vendeve të tjera të cilat kanë shprehur linjëzimin me sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.