Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sanksionet e vendosura nga Perëndimi janë të ngjashme me shpalljen e luftës, raporton Reuters.
Ai tha se Moska duhet të mbrojë popullsinë rusishtfolëse në lindje të Ukrainës, si edhe interesat e veta. Ai përsëriti edhe një herë deklaratat se Ukraina duhej demilitarizuar dhe denazifikuar.
Ai theksoi se propozimet e Rusisë janë ende në tryezën e bisedimeve, duke nënkuptuar kështu se ai nuk tërhiqet pas.
“Propozimet e Rusisë janë në tryezë. Neo-nazistët po shkatërrojnë vendin e tyre. Zgjidhja është demilitarizimi”, tha Putin.
Gjithashtu, Putin tha se nuk kishte ndërmend të shpallte ligjin e luftës në Rusi.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi se presidenti ukrainas po kërkon një përballje ushtarake mes Rusisë dhe NATO.
Reagimi i Lavrov erdhi pas deklaratës së ashpër të Zelensky pas vendimit të ministrave të NATO për të mos vendosur ndalim-fluturimin mbi Ukrainë.
“Zelensky u mërzit që NATO nuk ndërhyri, kjo do të thotë që nuk do ta zgjidhë konfliktin me diplomati. Po kërkon të provokojë konfliktin kundër Rusisë me pjesëmarrjen e NATO. Kjo është një frenezi ushtarake”, deklaroi Lavrov.