Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i tha homologut rus, Putin, se “një armëpushim urgjent jo vetëm që do të lehtësonte krizën humanitare, por do të krijonte edhe një mundësi për të kërkuar zgjidhje politike”. Gjatë një bisede telefonike mes të dyve, Erdogan mësohet t’i ketë thënë Putinit: “Rrugën e paqes ta shtrojmë bashkë”.
Sipas presidencës turke, Erdogan tha “se ishte i gatshëm që të jepte çdo kontribut për ta zgjidhur sa më shpejt të ishte e mundur problemin e Ukrainës në mënyrë paqësore”.
Erdogan theksoi rëndësi “e hapave urgjent për të arritur një armëpushim, për të hapur korridore humanitare dhe për të nënshkruar një traktat paqeje”, sipas deklaratës së publikuar nga presidenca turke.
Erdogan gjithashtu përmendi se mbetej në kontakt të vazhdueshëm edhe me palën ukrainase dhe shtete të tjera, si dhe shtoi se “do të vijonte përpjekjet e tij për negociata gjithëpërfshirëse dhe arritjen e rezultateve”.
Edhe Presidenti Zelensky tha të premten se fliste rregullisht me Erdogan dhe se i ishte mirënjohës Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme.