Kryesore New York Times: Tre skenarë për përfundimin e luftës në Ukrainë

New York Times: Tre skenarë për përfundimin e luftës në Ukrainë

Thomas L. Friedman – The New York Times

Beteja për Ukrainën që po shpaloset para syve tanë ka potencialin të jetë ngjarja më transformuese në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe konfrontimi më i rrezikshëm për botën që nga kriza e raketave kubane. Unë shoh tre skenarë të mundshëm se si përfundon kjo histori. Unë i quaj “katastrofë e plotë”, “kompromis i ndyrë” dhe “shpëtim”.

Skenari 1: Një fatkeqësi e plotë

Skenari i katastrofës është duke u zhvilluar ndërkohë: nëse Vladimir Putin nuk ndryshon mendim ose mund të pengohet nga Perëndimi, ai duket i gatshëm të vrasë sa më shumë njerëz që është e nevojshme dhe të shkatërrojë sa më shumë infrastrukturë të Ukrainës që të jetë e nevojshme për të fshirë Ukrainën si shtet të lirë të pavarur dhe kulturë dhe zhbëjë udhëheqjen e saj. Ky skenar mund të çojë në krime lufte, përmasat e të cilave nuk janë parë në Evropë që nga nazistët – krime që do ta bënin Vladimir Putinin, sejmenët e tij dhe Rusinë si vend, banditët e padëshiruar të globit.

Botës së globalizuar dhe e ndërlidhur nuk i është dashur të përballet kurrë me një lider të akuzuar për këtë nivel të krimeve të luftës, vendi i të cilit ka një masë tokësore që përfshin 11 zona orare, është një nga ofruesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë dhe zotëron arsenalin më të madh të kokave bërthamore ndër të gjithë vendet.

Çdo ditë që Putini refuzon të ndalojë, ne i afrohemi portave të ferrit. Me çdo video të TikTok dhe shkrepje me celular që tregon brutalitetin e Putinit, do të jetë gjithnjë e më e vështirë për botën që të kthejë kokën nga ana tjetër. Por ndërhyrja rrezikon të ndezë luftën e parë në zemër të Evropës që përfshin armë bërthamore. Dhe nëse Putini do ta kthejë Kievin në gërmadha, me mijëra të vdekur – ashtu siç pushtoi Alepon dhe Groznyn – do ta lejonte atë të krijonte një Afganistan evropian, duke derdhur refugjatë dhe kaos.

Putini nuk ka aftësinë për të instaluar një lider kukull në Ukrainë dhe thjesht ta lërë atje: një kukull do të përballej me një kryengritje të përhershme. Pra, Rusia duhet të vendosë përgjithmonë dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë për ta kontrolluar atë – dhe ukrainasit do të qëllojnë mbi ta çdo ditë. Është e tmerrshme se sa pak Putini ka menduar se si përfundon lufta e tij.

Do të uroja që Putini të ishte i motivuar vetëm nga dëshira për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s; oreksi i tij është rritur përtej kësaj. Putini është nën kontrollin e të menduarit magjik: Siç tha Fiona Hill, një nga ekspertët kryesorë të Rusisë në Amerikë, në një intervistë të botuar të hënën nga Politico, ai beson se ekziston diçka që quhet “Russky Mir” ose “një botë ruse”; se ukrainasit dhe rusët janë “një popull”; dhe se misioni i tij është të bëjë inxhiniering “duke mbledhur të gjithë rusishtfolësit në vende të ndryshme që i përkisnin në një moment mbretërisë ruse”.

Për të realizuar këtë vizion, Putin beson se është e drejta dhe detyra e tij të sfidojë atë që Hill e quan “një sistem i bazuar në rregulla në të cilin gjërat që duan vendet nuk merren me forcë”. Dhe nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj përpiqen ta pengojnë – ose përpiqen ta poshtërojnë siç bënë me Rusinë në fund të Luftës së Ftohtë – ai po sinjalizon se është gati të na tregojë se mund të na e kalojë në çmenduri. Ose, siç paralajmëroi Putin një ditë tjetër përpara se të vinte forcën e tij bërthamore në gatishmëri të lartë, kushdo që e pengon duhet të jetë gati të përballet me “pasoja që nuk i ka parë kurrë më pare”. Shtojini gjithë kësaj raportet në rritje që vënë në dyshim gjendjen shpirtërore të Putinit dhe do të keni një koktej të frikshëm.

Skenari i dytë: Kompromis i “ndyrë”

Skenari i dytë është që, në një farë mënyre, ushtria dhe populli ukrainas janë në gjendje të qëndrojnë mjaftueshëm kundër sulmit rus, dhe se sanksionet ekonomike fillojnë të lëndojnë thellë ekonominë e Putinit, në mënyrë që të dyja palët të ndjehen të detyruara të pranojnë një kompromis të ndyrë. Konturet e tij të përafërta do të ishin që, në këmbim të një armëpushimi dhe tërheqjes së trupave ruse, enklavat lindore të Ukrainës -tani nën kontrollin de facto rus -do t’i jepeshin zyrtarisht Rusisë, ndërsa Ukraina do të zotohej në mënyrë eksplicite se nuk do të anëtarësohej kurrë në NATO. Në të njëjtën kohë, SHBA dhe aleatët e saj do të bien dakord të heqin të gjitha sanksionet ekonomike të vendosura së fundmi ndaj Rusisë.

Ky skenar mbetet i pamundur sepse do të kërkonte që Putini në thelb të pranonte se nuk ishte në gjendje të arrinte vizionin e tij për të ripërthithur Ukrainën në atdheun rus, pasi pagoi një çmim të madh për sa i përket ekonomisë së vendit dhe vdekjes së ushtarëve rusë. Për më tepër, Ukrainës do t’i duhej të lëshonte zyrtarisht një pjesë të territorit të saj dhe të pranonte se do të ishte një tokë e përhershme e askujt midis Rusisë dhe pjesës tjetër të Evropës – megjithëse ajo të paktën do të ruante pavarësinë e saj nominale. Do të kërkonte gjithashtu që të gjithë të shpërfillnin mësimin e nxënë tashmë se Putinit nuk mund t’i besohet që ta lërë Ukrainën vetëm.

Skenari i tretë: Shpëtimi

Së fundmi, skenari më pak i mundshëm, por që mund të ketë rezultatin më të mirë është që populli rus të demonstrojë aq guxim dhe përkushtim ndaj lirisë së tij, sa ka treguar populli ukrainas ndaj të vetës, dhe të sigurojë shpëtimin duke dëbuar Putinin nga detyra.

Shumë rusë duhet të kenë filluar të shqetësohen se përderisa Putini është udhëheqësi i tyre aktual dhe i ardhshëm, ata nuk kanë të ardhme. Mijëra njerëz po dalin në rrugë për të protestuar kundër luftës së çmendur të Putinit. Ata e bëjnë këtë duke rrezikuar sigurinë e tyre. Dhe ndonëse është shumë herët për ta thënë, trusnia e tyre të bën të pyesësh nëse e ashtuquajtura barrierë e frikës po thyhet dhe nëse një lëvizje masive mund t’i japë fund mbretërimit të Putinit.

Edhe për rusët që qëndrojnë neutralë, jeta papritmas po ndërpritet në mënyra të vogla dhe të mëdha. Siç tha kolegu im Mark Landler: “Në Zvicër, festivali muzikor i Lucernit anuloi dy koncerte simfonike me një maestro rus. Në Australi, ekipi kombëtar i notit tha se do të bojkotonte një takim të kampionatit botëror në Rusi. Në Zonën e Skive Magic Mountain në Vermont, një banakier derdhi shishe me vodka Stolichnaya në sqoll. Nga kultura te tregtia, sportet te udhëtimet, bota po e shmang Rusinë në një mori mënyrash për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës nga Presidenti Vladimir V. Putin”.

Dhe pastaj është “taksa e Putinit” që çdo rus do të duhet të paguajë pafundësisht për kënaqësinë që ta ketë atë si president. E kam fjalën për efektet e sanksioneve në rritje të vendosura ndaj Rusisë nga bota e qytetëruar. Të hënën, bankës qendrore ruse iu desh të mbante të mbyllur tregun e aksioneve ruse për të parandaluar panikun dhe u detyrua të rriste normën bazë të interesit brenda një dite në 20 për qind nga 9.5 për qind për të inkurajuar njerëzit të mbanin rubla. Pavarësisht kësaj, rubla ra me rreth 30 për qind kundrejt dollarit – tani vlen më pak se 1 cent amerikan.

Për të gjitha këto arsye, më duhet të shpresoj që, pikërisht në këtë moment ka disa zyrtarë shumë të lartë të inteligjencës dhe ushtrisë ruse, afër Putinit, të cilët po takohen në një dollap diku në Kremlin dhe thonë me zë të lartë atë që të gjithë duhet të mendojnë: ose Putini ka humbur një hap si strateg gjatë izolimit të tij në pandemi ose është në mohim të thellë të asaj se sa keq e ka llogaritur forcën e ukrainasve, Amerikës, aleatëve të saj dhe shoqërisë civile globale në përgjithësi.

Nëse Putini shkon përpara dhe rrafshon qytetet më të mëdha të Ukrainës dhe kryeqytetin e saj, Kievin, ai dhe të gjithë miqtë e tij nuk do t’i shohin më kurrë apartamentet në Londër dhe Nju Jork, që blenë me të gjitha pasuritë e tyre të vjedhura. Nuk do të ketë më Davos dhe Shën Moritz. Në vend të kësaj, ata të gjithë do të mbyllen në një burg të madh të quajtur Rusi – me lirinë për të udhëtuar vetëm në Siri, Krime, Bjellorusi, Korenë e Veriut dhe Kinë, ndoshta. Fëmijët e tyre do të dëbohen nga shkollat ​​private nga Zvicra në Oksford.

Ose ata do të bashkëpunojnë për të rrëzuar Putinin ose të gjithë do të ndajnë qelinë e tij të izolimit. E njëjta gjë për publikun e gjerë rus. E kuptoj që ky skenar i fundit është më i pamunduri nga të gjithë, por është ai që mban më shumë premtime për arritjen e ëndrrës që pamë kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989 – një Evropë e plotë dhe e lirë, nga Ishujt Britanikë në Vladivostok.