Bota Rusia vendos sanksione ndaj Biden, Blinken, shefit të CIA-s dhe zyrtarëve të...

Rusia vendos sanksione ndaj Biden, Blinken, shefit të CIA-s dhe zyrtarëve të tjerë

Rusia është kundërpërgjigjur duke vendosur sanksione ndaj presidentit amerikan, Joe Biden.

Sanksionet do të aplikohen edhe për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe shefin e CIA-s, William Burns dhe zyrtarëve të tjerë të administratës dhe figurave politike amerikane.

Moska tha se këto sanksione janë masa reciproke të vendosura pasi Uashingtoni futi në listën e zezë zyrtarë të lartë rusë, përfshi edhe Presidentin Vladimir Putin.

Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë – më 24 shkurt – Perëndimi ka goditur Rusinë me sanksione të ashpra në disa sektorë.

Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin.

Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.