Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë tha në Publikisht në RTSH me gazetaren Blerta Tafani se janë katër produkte kryesore që do të futen në filtrin e çmimeve për të ngrirë marzhin e fitimit duke përmendur këtu mielli, orizin, vajin dhe sheqerin.
Ai u shpreh se në këtë skemë do të përfshihen edhe produktet për plehërimin e prodhimeve bujqësore.
“Ne jemi detyruar që kjo që erdhi nuk erdhi për mirë e ka emrin krizë. Puna e parë është të sigurohet produkti. Pasi u bë një analizë për miellin psh, sa do të dalë nga fabrika, sa do të marrë prodhuesi, sa do mbajë për kosto kompania. Kështu për orizin, vajin dhe sheqerin. Këto janë produktet e para. Pastaj janë dapi, nitrati, ureja. Do vendosen çmimet ditore”, u shpreh Kote.
Ai foli për planin e qeverisë për investimet në bujqësi dhe orientimin e fermerëve për të dalë në treg. “Bujqësia Shqiptare janë ato tregues që thamë. Është një zinxhir që funksionon me ujitjen, subvencionet etj. Ne kemi pasur edhe një skemë mbështetje që është skema e Ipardit. Kjo qeveri ka vënë më shumë gur. Duhen më shumë për bujqësinë. Pa diskutim që duhen më shumë. Kjo qeveri mendoj që sa i përket problemit të bujqësisë do të vazhdojnë do të jenë prioritet për t’u mbështetur. Mendoj që jemi në rrugë të drejtë për të orientuar bujqësinë. Në treg nuk konkurrohet me patriotizëm, por me cilësi”, deklaroi ai.
Kote u ndal edhe te protesta e thirrur këtë të shtunë ku tha se njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë por shtoi se qeveria i ka thënë qartë masat që ka marrë për t’i mbështetur ata.
“Qeveria me aktin normativ që po bën tani do qartësojë kapacitetin që ka. Bizneset e vogla nuk paguajnë asnjë detyrim. Njerëzit kanë të drejtën e tyre që të protestojnë. Ky është një vendim që nuk më përket mua. Protestuesit kanë të drejtën e tyre të protestojnë. Qeveria e ka thënë qartë se mbështetja janë këto masa që po përgatiten. Disave u mjaftojnë dhe u duken të qarta. Disa të tjerë nuk e kanë të qartë dhe është e drejta e tyre”, tha zv/ministri.