Ekonomi Kriza ekonomike, ekspertja: Nuk duhen ndihmuar vetëm shtresat në nevojë

Kriza ekonomike, ekspertja: Nuk duhen ndihmuar vetëm shtresat në nevojë

Suzana Guxolli, eksperte e ekonomisë foli në emisionin Publikisht në RTSH për rritjen e çmimeve në vendin tonë. Guxolli deklaroi se në këtë periudhë gjithmonë ndodhin abuzime dhe tregtarët përpiqen të përfitojmë. Ajo e cilësoi të gabuar strategjinë për të mbështetur vetëm njerëzit në nevojë duke theksuar se një mbështetje i duhet dhënë edhe biznesit.

“Në këtë periudhë gjithmonë ndodhin abuzime dhe tregtarët përpiqen të fitojnë. Të ardhurat për frymë ne i dimë sa i kemi. Dimë sa ka shkuar inflacioni. Njerëzit i kanë sytë nga qeveria. Dhe është gabim të thuash që unë i kam sytë vetëm për njerëzit në nevojë.

Biznesi po falimentoi nuk ngjallet dot menjëherë. Do i duhet një kohë të ringrihet. Qeveritë e të gjitha vendeve kanë ndërhyrë, kanë hequr një taksë. Në Shqipëri sado të luhatet çmimi në bursë, kosto për konsumatorin është  e vështirë të ulet. Ne do të ishim më mirë që paketën ta kishim bërë si vendet e tjera”, u shpreh Guxolli.

Duke folur për paketën e krizës, Guxolli e cilësoi atë të pamjaftueshme. Ajo u shpreh se përballë një situate të tillë, qoftë edhe pasur parasysh edhe periudhën e pandemisë, qeveria nuk duhet të kishte dedikuar aq shumë para për PPP apo për infrastrukturën.

“Më duket e pamjaftueshme paketa e krizës sepse numri i popullsisë në nevojë është i madh. Këto shifra na bëjnë të mendojmë se sa të ndjeshëm janë qytetarët ndaj një luhatje të vogël çmimi. Buxheti parashikoi këto ndryshime që kur u përcaktua. Nga ky buxhet kemi një përmbledhje të masave që duhet të fillonin në korrik dhe u afruan në paketën e rezistencës sociale. Qeveria nuk duhet të kishte dedikuar aq shumë para te PPP-të. Në infrastrukturë shpenzimet duhet të ishin ulur. Mund të kishim bërë pa një tunel dhe pa një rrugë”, tha ajo.