Është rikthyer në Kombëtare për miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë, me synimin për të bindur trajnerin Reja që ta ketë në konsideratë edhe për fushatën eliminatore të “Nations League”. Giacomo Vrioni, i huazuar nga Juventusi te Tiroli në Austri, ëndërron të gjejë golin e tij të parë më përfaqësuesen A.
Autori i 10 golave me Tirol në Austri është gjithashtu shumë i lumtur për ftesën që ka marrë. Për ftesën e kombëtares sulmuesi Vrioni tha: “Jam i lumtur, kur kombëtarja të thërret është gjë shumë e bukur, se përfaqëson popullin tënd, familjen, përfaqëson gjithë Shqipërinë. Është normale të jesh i lumtur dhe do jap maksimumin siç kam bërë gjithmonë në kombëtare”.
Vrioni u pyet edhe se si e ka parë Shqipërinë nga jashtë dhe për konkurrencën në repartin e sulmit. “Sipas meje mendimi për kombëtaren është shumë pozitiv. Skuadra është në nivel të lartë, kemi shumë lojtarë të mirë. Është një gjë shumë e bukur të jem këtu në kombëtare me gjithë këta lojtarë. Është normale që konkurrenca është kudo, në kombëtare dhe në klub. Është një gjë shumë e bukur për Shqipërinë nëse të gjithë sulmuese shënojnë me ekipet ku luajnë. Ne do stërvitemi, do japim maksimumin dhe pastaj trajneri vendos, kjo është normale”.
I pyetur nëse do e donte vazhdimësinë në kombëtare, Vrioni thotë: “Objektivi i të gjithë lojtarëve është të bëhen pjesë e kombëtares. Siç thashë edhe më përpara, bo bëj maksimumin çdo ditë te klubi im që të marr sërish ftesë tjetër. Kjo është normale”.
Si sulmues normalisht ai dëshiron edhe të shënojë sa më parë. “Kjo është ëndrra ime, të gjej golin e parë me kombëtaren. Shpresoj t’ia arrij, është ëndrra ime dhe mund të bëj të lumtur gjithë familjen time”.
Normalisht pati pyetje edhe në lidhje me të ardhmen, pasi Vrioni është i huazuar nga Juventusi te Tirol. “Nuk e di çfarë do të bëj, janë edhe dy muaj që të mbyllet sezoni. Është një periudhë e gjatë. Të shohim, nuk e di. Shpresoj të mbaroj sezonin duke shënuar më shumë gola dhe duke i dhënë një ndihmë ekipit të Tirolit ku jam tani”.
“Mbaj kontakte te Juventusi me disa lojtarë, kam disa shokë aty. Sidomos me Morata, me të cilin do të luajmë të shtunën. Nuk jemi ngacmuar, jemi profesionistë dhe kjo është puna jonë. I kam thënë vetëm të më ruajë fanellën, pasi është një djalë shumë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë te Juventusi. Për mua është një nga sulmuesit më të fortë në botë”.
Në fund, në lidhje me ndeshjen kundër Spanjës, Vrioni shprehet: “Ne do e provojmë ta vëmë në vështirësi, është normale. Për ne është një mundësi të shohim se në çfarë niveli jemi do shohim çfarë niveli jemi. Kështu që është normale që do të japim maksimumin që të marrim një rezultat, që t’u japim një gjë pozitive tifozëve që do vijnë në stadium”.