Bota SHBA formon fshehurazi “Ekipin e Tigrave”: Do skicojnë planet nëse Putin përdor...

SHBA formon fshehurazi “Ekipin e Tigrave”: Do skicojnë planet nëse Putin përdor armë bërthamore

Para takimit të sotëm të presidentit amerikan Joe Biden me liderët botërorë në Europë, Shtëpia e Bardhë mblodhi fshehurazi një ekip zyrtarësh të sigurisë kombëtare për të skicuar skenarët se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të reagojnë nëse Presidenti rus Vladimir Putin përdor armët biologjike ose bërthamore, njoftoi New York Times.

Sipas disa zyrtarëve të përfshirë në këtë proces, grupi, i njohur si “Ekipi i Tigrave”, po shqyrton gjithashtu përgjigjet nëse Putin arrin në territorin e NATO-s për të sulmuar autokolonat që sjellin armë dhe ndihma në Ukrainë.

Ekipi po shqyrton gjithashtu përgjigjet nëse Rusia dëshiron ta shtrijë luftën në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Ata po diskutojnë gjithashtu se si të përgatisin vendet europiane për refugjatët që vijnë në një shkallë të paparë në dekada.

Planet pritet të diskutohen në Bruksel këtë të enjte, kur presidenti amerikan Biden do të takohet me liderët e 29 vendeve të tjera të NATO-s.

Ndërsa Biden fluturoi për në Europë të mërkurën, ai dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëruan për provat në rritje se Rusia në fakt po përgatitej të përdorte armë kimike në Ukrainë.

Një çështje e madhe që “Ekipi i Tigrave” thuhet se po shqyrton është një prag që mund të inkurajojë aleancën të përdorë forcën ushtarake në Ukrainë.

Biden e ka bërë të qartë se nuk dëshiron ta bëjë këtë, nga frika se një konflikt i drejtpërdrejtë me Rusinë mund ta përshkallëzojë konfliktin jashtë kontrollit.

“Do të ishte Lufta e Tretë Botërore”, tha ai së fundmi.