Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka folur për mediat pas takimit me Sali Berishën në selinë blu. Alibeaj tregoi se çfarë ka biseduar me Berishën.
Alibeaj është shprehur se i ka thënë Berishës se PD nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj një deputet “non grata”.
Alibeaj tha se i kishte kërkuar Berishës të jepte dorëheqjen njësoj siç kishte bërë ish-kryetari Lulzim Basha, gjë që siç tha ishte kundërshtuar nga Berisha me pretendimin se ai tashmë ka shumicën.
Sipas Alibeaj, në të mirë të demokratëve për bashkimin e tyre është të kenë përkrahjen e vlerat evropiane dhe amerikane në bazë të të cilave PD lindi si parti në vitet 90.
Ai u shpreh se Partia Demokratike do të ankimojë vendimin e gjykatës për njohjen e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, të organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe grupi i rithemelim
“Dhashë dorën njerëzve që erdhën në selinë e PD-së si një shenjë e fisnikërisë që kujtdo që vjen në këtë parti dyert e së cilës janë të hapura t’i japim dorën. Po ju them çfarë diskutuam. Zoti Berisha pretendonte që vendimi i gjykatës është finali. Sipas tij ky vendim ka zeruar gjithçka nga e shkuara e kësaj partie dhe tashmë ka një komision Rithemelimi. Siç e thashë vetëm gjykata e vendos në fund. Pretendonte bashkimin e demokratëve nëpërmjet votës. Qëndrimi im ishte i tillë. PD ka lindur si parti në vitet ’90, si parti properëndimore. Parti e cila ka përqafuar vlerat, standardet dhe orientimin amerikan dhe europian. Kjo është një nga vlerat e futura në ADN e gjithë demokratëve.
Ajo se çfarë i thashë Berishës ishte kjo: PD, 30 vite pas formimit të saj nuk mund të mbrojë interesat e demokratëve duke pasur brenda saj një individ, një profil, që është etiketuar si “non grata”.
Pikërisht për të eliminuar çfarë do lloj emocionesh që nuk i bëjnë mirë demokratëve, do duhet, ia pohova, do duhet të gjejmë gjuhën e bashkimit. Cila është gjuha e bashkimit. Është ajo që kam thënë: Interesi i demokratëve, i pari. Cili është ky interes, një orë e më parë, të bashkohen, të bëhen dhe të rrëzojnë regjimin komunist të Ramës. Kjo nuk ka sesi të bëhet me mënyra komuniste me metoda komuniste”, u shpreh Alibeaj.
Kryetari i komanduar i PD-së tha se vizita e Berishës ishte e paftuar ndërkohë që përsëriti edhe një herë që vendimi i gjykatës që legjitimon Komisionin e Rithemelimit është i paligjshëm.
“Vizitë e paftuar për të qenë i sinqertë. Daljen e vendimit që siç e shpreha më parë, e konfirmoj dhe tani është dhënë në shkelje të plotë të ligjeve, fakteve dhe provave. Ligji nuk bazohet në asnjë prej dokumenteve reale që kjo parti ka depozituar në gjykatë. Kam autorizuar që PD të reagojë ndaj këtij vendimi të gjykatës. Së pari duke paraqitur kallëzim penal ndaj gjyqtarit dhe ankim ndaj këtij vendimi të paligjshëm. Ai vendim, me gjithë shkeljet që mbart brenda nuk është një vendim i formës së prerë. Do paraqitet ankim dhe do të jetë gjykata që do të vendosë përfundimisht vendimin përfundimtar”, tha Alibeaj.