Aktualitet ILD pranon kërkesën e Bardhit, nis inspektimin për gjyqtarin që vendosi “pro”...

ILD pranon kërkesën e Bardhit, nis inspektimin për gjyqtarin që vendosi “pro” Berishës

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur inspektimin mbi ligjshmërinë dhe procedurën e ndjekur të vendimit nga gjyqtari Agron Zhukri për regjistrimin e ndryshimeve statutore të bëra në Kuvendin e 11 Dhjetorit, ku është legjitimuar në këtë mënyrë Komisioni i Rithemelimit.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Alibeaj e cilësoi vendimin e gjyqtarit të paligjshëm në kufijtë e një skandali duke paralajmëruar ankimimin e tij.

“I nderuar z. Bardhi,

Me anë të këtij njoftimi, në zbatim të nenit 119, paragrafi 4 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konfirmon marrjen e ankesës suaj, me numër 24 prot., date 25.03.2022.

Ankesa juaj është regjistruar me numër 672 prot., datë 25.03.2022. Jeni të lutur të përdorni këtë numër në çdo korrespondencë në të ardhmen. Ankesa juaj do të shqyrtohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në përputhje me parashikimet e Pjesës V, Kreut II të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe parashikimet e Pjesës IV, Kreu I dhe III të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, dhe ju do të njoftoheni për çdo vendim që do të merret mbi këtë ankesë.”, thuhet në shkresën zyrtare të ILD.