Në një takim me importuesit e produkteve ushqimore, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar atyre që të marrin sa më shumë produkte për t’i pasur si rezerva ushqimore në rast të çdo situate që mund të shkaktohet nga lufta në Ukrainë.
Kryeministri i garantoi ata se në rast se këto produkte u ngelen dhe nuk shiten, do t’i blejë shteti dhe për këtë arsye është vendosur garanci sovrane.
“Ne e mirëkuptojmë shumë situatën tuaj edhe të pasigurisë në financim, por edhe pasigurisë së përgjithshme që sa do zgjasë kjo situatë dhe dakord që ne do investojmë për të siguruar në vijimësi rezerva, por çfarë ndodh nëse kjo situatë lehtësohet më përpara. Prandaj ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju që ta merrni dhe përdorni me garanci të shtetit për të marrë edhe më shumë furnizim për ta pasur aty në çdo rast.
Me mirëkuptimin e shkruar që çdo gjë që do të mbetet do ta marri shtetit, pra nuk është se juve do t’ju mbetet aty e pashitur dhe kështu do humbisni paratë tuaja nga një investim me përgjegjshmëri sociale në këtë rast dhe jo thjesht investime biznesi për të qenë aty në momentin që çdo gjë mund të ndodhi. Kështu që kjo garanci sovrane është për këtë qëllim. Kjo rezervë ekstra është një rezervë shtetërore në të njëjtën kohë. Çdo gjë që do të mbetet në rast se do të mbetet për shkak të mbifurnizimi do ta marri shtetit, pra është e garantuar”, tha Rama.