Aktualitet Dy pistoleta dhe një kallashnikov, si Nuredin Dumanit i dështoi atentati ndaj...

Dy pistoleta dhe një kallashnikov, si Nuredin Dumanit i dështoi atentati ndaj Talo Çelës

Nuredin Dumani, person i shumëkërkuar i arrestuar të martën e 29 marsit në Fier, dyshohet se ka mbetur i plagosur gjatë një atentatit ndaj Talo Çelës.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë për mediat tha se gjatë operacionit janë ndaluar dhe tre persona të tjerë.

Njëri prej tyre, Henrik Hoxhaj, 40 vjeç, u arrestua pasi ishte i armatosur me pistoletë në brez dhe një tjetër në automjet. Ndërsa ndalimi i dy personave të tjerë gjatë operacionit mbetet për t’u sqaruar.

Momenti i arrestimit te Dumanit

Ndonëse nuk dhanë shumë detaje mbi operacionin për kapjen e Dumanit, mësohet se ai udhëtonte me makinën tip BMW që u gjet e braktisur në Papër.

Ka dyshime se ai shoqërohej nga persona të tjerë, me të cilët po përgatiste të finalizonte një atentat ndaj Talo Çelës, një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.

Në momentin që nga makina BMW është qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit ku dyshohet se lëvizte Çela, këta të fundit janë kundërpërgjigjur po me zjarr. Për pasojë, Dumani ka mbetur i plagosur.

Kallashnikovi i sekuestruar

Ngjarja ka ndodhur më 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e Nuredin Dumanit në këtë ngjarje.

Pas plagosjes Dumani është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.