Nga Artan Fuga
Përse Bordi i Transparencës për Karburantit është në dëm të konsumatorëve?
Sepse nuk është i Transparencës. Transparenca është një fjalë e madhe.
Doni transparencë! Na tregoni çdo ditë si eksport-importi i karburanteve lëviz. Si lëvizin tregjet ndërkombëtare dhe çmimet e karburanteve? Si është çmimi i tyre në vendet fqinje? Kush tregton karburantin? Sa është fitimi ditor i grosistëve? Sa është ngrit apo ul harxhimi i karburanteve çdo ditë sipas fluksit të çmimeve? Etj.
Nuk bëni këto! Ikni tutje me gjithë borde!
Mos u tallni as me fjalët, as me qytetarët, as me tregun.
Përpos kësaj duke vendosur vendimin e shtetit midis tregtarëve të karburanteve dhe konsumatorëve, çmim arbitrar, konsumatori mbaron si klient, dhe bëhet një skllav që nuk mund të imponohet në treg. Sepse çmimi kthehet në vulë administrate. Autoritarizmi arrin kulmin e vet.
Po a na mbron ne si konsumatorë? Hiç fare! Sepse nëse ai çmim arbitrar nuk do të ishte çfarë do të bënin grosistët e karburanteve? Do ta ngrinin karburantin në kupë të qiellit? E po pastaj? Ne nuk do të shkonim të blinim dhe ata do ta ulnin atje ku ne përsëri do të fillonim të blinim! Si macja me miun ne si qytetarë do të bëheshim aktivë dhe do ta detyronim tregun.
Kurse kështu, na i zhvasin lekët gjoja me mbrojtjen mëshirëmadhe të Bordit, por na i marrin pak e nga pak. Por, për një kohë më të gjatë. Do të shikoni që në fund do të jetë njësoj. Fitim maksimal, por i sigurt, nën mbrojtjen e shtetit, imponuar si çmim i drejtë!
Eshtë i drejtë apo jo një çmim, afatgjatë atë askush tjetër nuk e përcakton veç tregut të lirë. Nëse jo shkoni ngrini nga varri Rikardon, Adam Smithin, Marksin, Hayekun, e dhjetëra mendje të mëdha të ekonomisë dhe çojini t’i pushkatojë bordi, trupat pastaj varrosini në ndonjë ferrë prapa Dajtit!
Asgjë nuk na ndihmon ai Bord!
Hiqeni iluzionin. Çmimet kanë rënë lehtësisht në të gjithë Evropën këto ditë!
Do shteti të luajë rregullatorin! Të blejë karburant dhe ta hedhë në treg me çmimin që mendon se është i drejtë! Shteti kështu ësht(ë rregullator.
Ja dështimi i ultraliberalëve hipokritë! Na tregojnë se gjoja liberale është kur shteti heq dorë fare nga çdo funksion ekonomik, dhe përfundojnë duke vendosur diktatin e shtetit me çmimet!
E dini si quhet kjo apo jo?
Market Failure!
Heqin rregullatorin se iu duket se nuk ka nevojë për funksion ekonomik të shtetit dhe pastaj e kthejnë dhunën publike në etiketuese çmimesh mallrash!