Nga Ben Blushi
Ka shumë qytete të rrënuara, të zbrazura, të uritura apo të vjetruara sot nëpër botë.
Disa i kanë shkatërruar bandat, disa qeveritë e tyre, disa konfliktet dhe disa i ka zbrazur emigracioni.
Një qytet të tillë, bosh, një ghost city e kam parë në Lituani pranë kufirit me Letoninë rreth 1 orë me makinë nga Riga.
Para 20 vitesh aty jetonin më shumë se 100 mijë banorë, sot nuk ishin më shumë se 1000 mijë dhe ata të fshehur nëpër shtëpi pasditen kur kalova.
Qyteti dikur me shkolla, me parqe, me autobusë, me taxi, me kinema dhe me kafene e restorante, sot kishte vetëm një supermarket që hapej katër orë. Asnjë taksi, një prift dhe vetëm një shkollë. Pas futjes së Lituanisë në Bashkimin Evropian, pothuajse 90 përqind e qytetit kishte emigruar. Kryesisht në Gjermani. E megjithatë ky qytet nuk ka të krahasuar me Mariupolin sot. Mariupoli mund te quhet me një fjalë: Gërmadha e Botës.
Fotot dhe videot që vijnë nga ky qytet janë të llahtarshme dhe vlejnë vetëm për tu kujtuar se njerëzimi sot akoma investon më shumë për të vrarë, sesa për të zgjatur jetën e njeriut, apo për të zhdukur sëmundje vdekjeprurëse si kanceri.
Mariupoli, ky qytet-port në detin Azov, një nyje strategjike për të dalë në Detin e Zi, arsye për të cilën po pushtohet nga Rusia, për 40 vite ka pasur një emër tjetër.
Rusia Sovjetike e kishte zakon ti ndryshonte emrat qyteteve dhe tu vinte emra njerëzish, zakonisht drejtuesish të lartë komunistë.
Kështu ndodhi me Shën Petersburgun, që u quajt Leningrad, kështu ndodhi edhe në Shqipëri me Kuçovën, që u quajt Qyteti Stalin.
Mariupoli një qytet i krijuar në fund të viteve 1700, nga viti 1948 deri në vitin 1989 mbajti emrin Zhdanov. Zhdanograd.
Andrei Zhdanov ishte një nga drejtuesit kryesorë të partisë komuniste të Bashkimit Sovjetik, shok lufte me Stalinin dhe drejtues i betejës së famshme të Stalingradit.
Ai ishte me origjinë nga Mariupoli dhe prandaj pas vdekjes së tij në 1948 qyteti u quajt, Qyteti Zhdanov. Por nuk është kjo arsyeja pse po i shkruaj këto rreshta. Andrei Zhdanov u caktua nga Stalini të merrej me propagandën dhe me artet në Bashkimin Sovjetik.
Ishte ai që krijoi termin dhe doktrinën e realizmit socialist apo zhdanovizmin.
Zhdanovizëm, do të thotë që letërsia, muzika dhe artet kanë qëllim edukativ dhe duhet ti shërbejnë rendit të proletariatit, prandaj ato duhet të ndahen nga shfaqjet liberale apo revizioniste dekadente.
Lumturia e popujve dhe e punëtorëve duhet të jetë në qendër të artit realist sipas doktrinës zhdanoviste dhe shkrimtarët e artistët duhet të jenë në linjë me udhëzimet e partisë, e cila kontrollon veprat e tyre dhe i ndëshkon siç ka ndodhur gjatë atyre viteve.
Andrei Zhdanovi shkoi deri aty sa thirri në një takim gjithë kompozitorët më të shquar të Rusisë si Prokofjevin dhe Shostakovicin ky i fundit kompozitori i madh, simfoninë e të cilit kanë përdorur në filmin e famshëm Eyes Wide Shut të Stanley Kubrik, me Tom Cruise dhe Nicole Kidman.
Zhdanovi mblodhi kompozitorët më të mëdhenj rusë në një takim dhe pasi i kritikoi për muzikë hermetike dhe çrregullim tingujsh, luajti vetë në piano përpara tyre, për ti mësuar sesi duhej të kompozonin muzikën e tyre sipas parimeve të realizmit socialist.
Andrej Zhdanovi i lindur në qytetin e bombarduar të Mariupolit ka dominuar edhe letërsinë e artet e Shqipërisë për 40 vite gjatë kohës së komunizmit.
Me mijëra poezi, romane, piktura dhe këngë e vepra muzikore iu përshtatën parimeve të zhdanovizmit, kësaj doktrine të shkatërrimit të vlerave artistike dhe krijuese, e cila pretendonte se bota ishte e ndarë në dy kampe, imperialist të Shteteve të Bashkuara dhe demokratik të Bashkimit Sovjetik.
Sot Mariupoli është një qytet i zhdanovizuar. I bombarduar dhe i zhveshur nga çdo gjë e bukur që ka krijuar estetika njerëzore.
Mariupoli është Gërmadha e Botës, një viktimë e doktrinave militare zhdanoviste që kanë qëllim të mbysin lirinë njerëzore kudo ku ajo mbin.
Ky është zhdanovizmi që vjen nga ajo pjesë e botës që Andrej Zhdanovi vetë e quante demokratike.
Nga Rusia.