Zyrtarët ukrainas dhe europianë shprehën sot zemërimin rreth atyre që ata thanë se ishin mizori të kryera nga forcat ruse pranë Kievit përpara se të tërhiqeshin nga rajoni për t’i përqendruar sulmet diku tjetër. Kryetari i bashkisë së Bucha-s, një qytet vetëm disa kilometra në veriperëndim të kryeqyeqytetit, bëri të ditur të shtunën se gjatë sulmit njëmujor ushtria ruse kishte vrarë 300 banorë. Viktimat ndodheshin në një varr masiv e të hedhur në rrugë. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj sot një pyetjeje lidhur me trupat e gjetur në Bucha. Rusia ka mohuar më parë se ka vendosur në objektiv civilët dhe ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte gjatë kryerjes së atij që e quan, operacion special ushtarak.
Ndërkohë autoritetet ukrainase njoftuan të shtunën se forcat e saj kishin në zotërim të gjitha zonat përreth kryeqytetit, duke rimarrë kontrollin e plotë të rajonit për herë të parë që kur Rusia nisi sulmin më 24 shkurt.
Zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë të mbrojtjes dhe të zbulimit kanë paralajmëruar se Moska po ripozicionon forcat për t’u përqendruar në rajonin lindor Donbas.
Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, Ukraina ka rimarrë mbi 30 qytete dhe fshatra përreth Kievit.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia ka lënë pas në Kiev dhe në rrethina një shkatërrim të plotë dhe një territor të mbushur me mina. Zëdhënësi i tij thotë se janë gjetur gjithashtu edhe varre masive.
“Është vërtet e vështirë të përshkruhet se çfarë u gjet në territoret e çliruara, si në Bucha, Hostomel dhe Irpin. Pamje pikëlluese. Gjetëm varre masive të mbushura me civilë; njerëz me duar dhe këmbë të lidhura, dhe të ekzekutuar me plumb pas koke. Ishin qartësisht civilë të ekzekutuar…”, thotë Sergii Nykyforov, zëdhënës i presidentit ukrainas.
Zyrtarët ukrainas po sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar për veprimet e forcave ruse.
“Patëm takim edhe me (Presidentin francez) Macron. Ishim katër anëtare të parlamentit dhe kryebashkiaku i Melitopolit, i cili u kap dhe u mbajt peng për gjashtë ditë, derisa u shkëmbye me nëntë ushtarë rusë. Ai rrëfeu eksperiencën e tij, se si u trajtua dhe se si e detyruan të jepte dorëheqjen nga detyra. Mendoj se ishte e rëndësishme që presidenti francez ta dëgjonte jo nëpërmjet Zoom-it, por drejtpërsëdrejti nga dikush që ishte vetë atje vetëm dy ditë më parë”, thotë ligjvënësja ukrainase Alona Shkrum.
Kryenegociatori ukrainas ka sinjalizuar se ekziston megjithatë ende mundësia për bisedime mes Presidentit ukrainas Zelenskyy dhe atij rus Putin, pasi negociatorët ranë dakord për një tekst fillestar të marrëveshjes gjatë bisedimeve në Stamboll.
Ndërkaq, banorët në qytetin e rrethuar Mariupol vazhdonin të prisnin të dielën për autokolonën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar e cila sjell ndihma e ofron mundësi evakuimi për ta. Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, rreth 100 mijë persona janë bllokuar në qytetin e rrethuar nga forcat ruse për më shumë se një muaj.