Me autobusë të paguar nga Partia Demokratike, njerëz nga gjithë Shqipëria mbërritën në Tiranë. Me flamurin kombëtar dhe atë të PD-së, mos harrojmë dhe atë të Izraelit, ata u dyndën në sheshin para Kryeministrisë, kjo e fundit e rrethuar nga efektive të policisë.
Ajo që spikati tek protestuesit ishin dordolecët e bërë, kryeministri Edi Rama, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, të cilëve iu vu zjarri në fund.
Vetë kreu i demokratëve i kishte marrë masat që zëri i tij, siç ka ndodhur në protestat e mëparshme, të mos e linte. Siç nuk ka ndodhur më parë, ish-lideri i PD-së nuk foli. Shumë protestues bërtisnin emrin e tij, por duket nuk ka dashur t’i vjedhë “fitoren” Bashës.
“Duam zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pushteti i korruptuar dhe kriminelët duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme”. Ishte kjo deklarata kryesore e liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Protesta u zhvillua paqësore dhe nuk pati asnjë provokim.
“Ose do të bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë. Rrugë të mesme nuk ka. Rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë. Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Europës nuk do t’i pranojmë. Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë”, deklaroi Basha.
Një mënyrë për t’ju përgjigjur akuzave kryeministri Edi Rama futi live, në profilin e tij në Facebook, protestën e opozitës. Ai i kujtoji kundërshtarit të tij se sa shumë kanë ndryshuar gjërat, pasi në vitin 2011 në atë vend u vranë 4 persona dhe Ministrinë e Brendshme drejtohej po nga vetë Lulzim Basha.
Megjithëse Policia e Shtetit kishte deklaruar zyrtarisht se protesta do të ishte nga ora 12:00 deri në orën 16:00 të ditës së shtunë, nuk pengoi protestuesit që të ngrënë një tendë të përmasave të mëdha në shëtitoren Dëshmorët e Kombit për të vazhduar protestën.
Më tepër se 1500 policë qëndrojnë në gatishmëri në Tiranë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së opozitës. Një pjesë e madhe është vendosur prej mëngjesit në zonën për rreth Kryeministrisë.
Furgona të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë qëndrojnë në rrugën “Ismail Qemal” dhe në rrugën “Papa Gjon Pali i II- të”, pranë Piramidës, Kuvendit, Ministrisë së Brendshme e institucioneve të tjera të rëndësishme.
Mbi godinën e Kryeministrisë dhe të Kuvendit ishin vendosur efektivë të RENEA –s me snajper e Dylbi. Në garantimin e rendit janë angazhuar edhe efektivë të Gardës së Republikës.