Aktualitet Ulet çmimi i naftës dhe benzinës

Ulet çmimi i naftës dhe benzinës

Bordi i Transparencës i mbledhur ditën e sotme ka vendosur çmimet e reja për karburantet. Nga dita e sotme në orën 18:00 e deri në mbledhjen e radhës, një litër naftë do të shitet me 228 lekë për litër, duke shënuar kështu një rënie nga 233 l/litër që ishte më përpara.

Ndërkohë, një litër benzinë do të shitet me 208 lekë për litër, gjë që shënon një rënie të lehtë nga 209 l/litër që ishte më para.

Çmimi i gazit të lëngshëm ka mbetur i pandryshuar, do të shitet me 115 lekë për litër.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 6 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

216 Lekë/litri për gazoilin;

196 Lekë/litri për benzinën;

103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

228 Lekë/litri për gazoilin;

208 Lekë/litri për benzinën;

115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 06.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.