Shtetasi shqiptar Koçi Selamaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Britaninë e Madhe për vrasjen e mësueses së shkollës fillore Sabina Nessa, raporton The Guardian.
Sipas gjykatës, ai do të qëndrojë të paktën 36 vjet prapa hekurave.
Koçi Selamaj, 36 vjeç, refuzoi të marrë pjesë në seancën ndaj tij, ndërsa gjyqtari që dha vendimin tha se Selamaj “mund të mos lirohet kurrë” nga burgu.
Trupi i mësueses 28-vjeçare Sabina Nessa u gjet në Cator Park, në zonën Kidbrooke të Londrës juglindore, më 18 shtator të vitit të kaluar, i mbuluar me gjethe.
Ajo u vra ndërsa ishte duke shkuar për të takuar një mik në një bar.
Gjykata provoi se Selamaj, i cili ka një histori të dhunës në familje, u nis me makinë në Londër nga Eastbourne, East Sussex, për të kryer vrasjen.
Selamaj kishte 5 vjet që jetonte si emigrant në Angli dhe ishte i martuar me një shtetase rumune.