Në përfundim të Kongresit të PS, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat ku foli për ‘drejtësinë e munguar’.
Rama shprehu hapur kritika ndaj SPAK duke thënë se “ajo që nuk shkon të gjithë e shohin”. Kryeministri iu referua në mënyrë konkrete mos hetimit të ish-kryeministrit Berisha.
“Shpresojë të kenë gjunjë të forta. Të bëjnë detyrën historike që kanë ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe reformës. Të godasin nga të gjitha anët, por të godasin lart”, tha Rama.
Ai tha se ‘vjedhjet marramendëse dihet se kush i ka bërë’ duke shtuar se ‘janë të gjitha dosjet, dokumentet, dëshmitarët’ për të hetuar deri në fund.
“Kuçedra e korrupsionit duhet goditur në kokë. Nëse janë të gatshëm të dinë se kush është koka, jam i gatshëm të shkoj që nesër te SPAK”, tha kreu i qeverisë.
Sipas Ramës deri tani SPAK ka hetuar vetëm zyrtarë të PS, duke mosndëshkuar ish-zyrtarë, por edhe ish-funksionarë të drejtësisë që nuk justifikojnë pasurinë.
Gjatë konferencës për shtyp, Rama reagoi ndaj akuzave të presidentit Meta, që për aferën e inceneratoreve cilësoi aferën e inceneratorëve si pjese e një organizate kriminale, për të cilën do ngrinte një Komision Transparence.
Rama tha se “Gjykata Kushtetuese ra dakord me Parlamentin që Meta kishte shkelur Kushtetutën, por shtoi se shkeljet ishin të lehta. Nuk komentoj vendimet e gjykatave, por di të them se Meta është një turp kombëtar, se çfarë bën më pas nuk më intereson. Më intereson që koha e tij në atë post të mbarojë sa më shpejt, që kjo periudhe t’i shkoj të kaluarës”.
Kryeministri shprehu edhe njëherë kritikat ndaj SPAK, e cila sipas tij po merret me raste të vogla duke mënjanuar abuzimet e mëdha.
“Duke qenë se SPAK nuk do të ekzistonte por mos të ishte kjo parti, thashë disa fjalë për SPAK, sepse shumë gjëra nuk shkojnë, pres me durim që SPAK të hyjnë më thellë në kraterin e vullkanit të poshtërsive, vjedhjeve që nuk gjenden në oborrin e Partisë Socialiste dhe i di gjithë Shqipëria, por edhe prokurorët e SPAK, por duhen këllqe të forta, për të bërë detyrën historike për të goditur në katër anët, por të godasin lart”.
Rama kritikoi hetimet e vogla sipas tij, që merren me arka peshku, si në rastin e ish-zëvendësministres Voda, por edhe zgjerimet e dritareve, si në një rast të fundit që përfshiu një kantautor shqiptar.
“Ka kohë për të shkuar te arka e peshkut dhe zgjerimi i dritareve pa leje, edhe aty ka hapa shumë të tjera para burgut, ndërkohë që këtu rrotullohen të vdekurit nëpër varre nga plumbat që kanë marrë në bulevard, ose dy hapa larg Tiranës. Vjedhjet marramendëse dihet kush i ka bërë janë të gjitha dosjet dhe dëshmitarët. Nëse kanë nevojë ta dinë se ku është koka, jam i gatshëm të shkojë që nesër për t’i treguar se kush është. Në qoftë se SPAK mendon se ne nuk kemi gojë, kjo e sotmja vlen edhe për këtë. Nuk mund të lëvizë vetëm nga frika e presioneve nga njerëz të cilëve i kanë rënë dhëmbët dhe një të gjalli që ka vdekur. Drejtësia e re duhet të godasë në 360 gradë. Për pjesën tonë e kanë gjetur derën hapur, askush nuk i ka penguar, kanë mbështetjen time. Shqipëria nuk ka luksin të presin edhe 30 vjet, për hetime post mortum”.