Politika Komisioni i Rithemelimit: Kongres i sotëm anti-SPAK, Rama i bëri presion drejtësisë

Komisioni i Rithemelimit: Kongres i sotëm anti-SPAK, Rama i bëri presion drejtësisë

Pas mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, deputeti demokrat Belind Këlliçi ka dalë përpara medieve duke thënë se PS-ja sot tregoi para çdo shqiptari se është një parti e kalbur nga korrupsioni.

Këlliçi foli edhe për deklaratën e kryeministrit Rama, gjatë të cilës ky i fundit kritikoi SPAK-un se nuk ka nisur deri më tani një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berishës, i shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këlliçi e ka quajtur Kongresin e PS-së si një kongres anti-SPAK, duke shtuar se është kriminale mënyra sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë.

“Sot Ramën do e kishin zili dhe liderët më autoritarë dhe diktatorët më famëkeq, edhe Kim Jongun do e kishte zili për shfaqjen e shëmtuar që na dhuroi. Është kriminale presioni që Rama u ushtroi ndaj organeve të drejtësisë. Kongresi anti-Spak sepse frika që e ka kapur nga afera e inceneratorëve e detyroi t’i bënte presion të hapur duke treguar që e trajton sikur të ishte seksion i partisë së tij. Sot u fol për urrejtjen ndaj opozitës, tregoi që është i shqetësuar që opozita  e kapur është një ëndërr që nuk ekziston më. Sot para Ramës ndodhet një opozitë reale. Sot qytetarët shqiptarë panë sesi rilindja vdiq ku Edi Rama u la porosi deputetëve që termin rilindje mos ta përdorin më pasi ai është eksperiment i dështuar. Rama u tregoi shqiptarëve që oferta e vetme që ia ka për vendin është hashashi, asnjë plan ekonomik, asnjë fjalë për të rinjtë e vendit, asnjë fjalë për çmimin e karburantit, çmimet e larta. I tregoi që drejtësia duhet të dënojë këdo që ai kap prej veshi dhe e çon përpara drejtësie”, tha Këlliçi.