Lufta në Ukrainë i solli vlera të larta në sondazhe Emmanuel Macron dhe u duk se rizgjedhja e presidentit, ishte e sigurtë. Por populistja e djathtë, Marine Le Pen, arriti ta shkurtojë së fundmi mjaft distancën.
Strategët zgjedhorë të Emmanuel Macron ishin këtë vit më të kujdesshëm. Pas sondazheve të fundit ata nuk planifikuan më për të dielën, pas raundit të parë të votimeve, festën në ndonjë nga lokalet e bukura të Parisit, si pas suksesit të jashtëzakonshëm para pesë vitesh. Në vend të kësaj presidenti pas rezultateve të së dielës do të flasë para përkrahësve të tij në lindje të qytetit. Po bëhet shumë për të shmangur përshtypjen, se fitorja është e sigurtë apo imazhin e arrogantit borgjez, që i është ngjitur si etiketë Macronit. Në metrat e fundit të fushatës elektorale Macronit iu desh të luftojë.
Kandidati që do rizgjedhjen
Emmanuel Macron synon, atë që nuk ia ka dalë më asnjë president francez, prej 20 vjetësh, që kur Jacques Chirach u rizgjodh për një mandat të dytë. Pas luftës në Ukrainë, u duk se ai ishte shumë pranë fitores. Francezët e shqetësuar u mblodhën rreth presidentit dhe vlerat e tij në sondazhe u rritën në 33%. Ditët e fundit gjendja ndryshoi. Vlerat e Macronit në sondazhe kanë rënë nën 30% dhe konkurrentja e tij, Marine Le Pen, populiste e djathtë po e ndjek këmba këmbës rivalin e saj.
Çfarë ndodhi? Çmimet e larta në Francë i kanë shqetësuar francezët. Ata po i rikthehen temave sociale: Gati gjysma e francezëve ka frikë për humbjen e standardit jetësor, shumë i tremben humbjes së traditës, të ndihmës sociale dhe kanë frikë nga pasojat e modernizimit. Si kudo në Europë, në fund janë shqetësimet e përditshme qytetare që vendosin për zgjedhjet
Seri krizash
Në një kohë që Macronit nuk i shqitet etiketa se ai është president i të pasurve, sepse në fillim të mandatit të tij i uli tatimet e sipërmarrjeve- Kjo nxiti edhe protestat e atëhershme të jelekëve të verdhë, që shpërthyen pastaj me rritjen e çmimit të karburanteve në dimrin e vitit 2018/2019. Si pasojë e protestave të fuqishme, presidenti duhej të hiqte dorë madje nga reforma e tij më themelore, ajo e pensioneve, mjaft e vjetëruar dhe e shtrenjtë për Francën. Patosi i tij modernizimit morri goditjen e parë. Pastaj erdhi pandemia e Coronës, që goditi rëndë si Francën edhe Europën. Pas problemeve të para, Macron arriti të menaxhojë mirë fushatën e vaksinimit dhe me miliardat e shtetit si kompensim u mënjanuan vështirësitë për punonjësit dhe sipërmarrjet.
Tani në fushatë atë e ndoqi një problem tjetër. Afera McKinsey. Qeveria e Macron ofroi në 5 vitet e fundit më shumë se 1 miliardë euro për firmat konsultuese që duhej të përgatisnin për qeverinë ekspertiza për projektet e reformave. Akuza e fundit janë shpërodrimi i parave të taksapaguesve – po ashtu vetë këto firma nuk kanë paguar sa duhet tatime në Francë. Edhe një shenjë e vogël e keqqeverisjes shërben si benzinë për zjarrin për kundërshtarët e Macron.
Kameleonja Marine Le Pen
E dyta në garën presidenciale franceze, është ashtu si herën e parë, Marine Le Pen nga Partia Rassemblement National. ishte Front National i dikurshëm. Le Pen punoi me këmbëngulje për ndryshimin e imazhit të saj në media, për ta bërë të harrohet e shkuara e saj ekstremiste e djathtë dhe të hiqej efekti negativ që kish lënë pas babai i saj, Jean-Marie le Pen, ish-kreu i Front National.
Le Pen tani as nuk do të dalë nga euro dhe as nga BE. Edhe në lidhje me presidentin Putin, që në vitin 2017 i huazoi fonde për fushatën e saj, Marine Le Pen ia doli të shpëtojë me akrobaci. Ajo deklaroi menjëherë, se e ka ndryshuar mendimin për Putinin dhe përkrahësit e saj as nuk i zemërohen për këtë. Nga ana tjetër, në lidhje me politikën e jashtme, ajo shprehet, se do një marrëdhënie normale me Rusinë, ashtu si me Britaninë e Madhe.
Marine Le Pen bëri fushatë zgjedhore këto javë, gjë që Macron nuk arriti ta bëjë sa duhet. Në kohën kur Macron telefononte me Putinin dhe u profilizua në skenën botërore, ajo vazhdonte turet e saj elektorale nëpër Francë për të biseduar me qytetarët. Vetëm 51% e francezëve e shohin Le Pen ndërkohë si kërcënim, tregues ky i suksesit të fushatës së saj për ndryshimin e imazhit. Nëse në vitin 2017, Le Pen thoshte, se “vijat kryesore politike janë ato me presidentin Trump dhe Putin”, në këtë fushatë ajo flet për fuqinë blerëse dhe nuk lodhet së shtrënguari duart me qytetarë në tregje dhe i siguron francezët se do të kufizojë rritjen e çmimeve të energjisë.
Le Penit i erdhi në ndihmë pa dashur ish-publicisti dhe ekstremisti i djathtë, Eric Zemmour, i dënuar disa herë për predikime urrejtjeje. Në fillim ai fitoi vëmendje me retorikën e tij pa kufi kundër islamit dhe migracionit duke zënë kështu skajin ekstremist të djathtë e duke bërë që Le Pen ta paraqiste veten si politikane të moderuar të qendrës. Ndërkohë vlerat e Eric Zemmour nga 15% kanë rënë në rezultate njëshifrore.
Ishte “Le Monde” që javën e kaluar i kujtoi francezët, se pas fasadës së moderuar të Le Penit ende fshihet një ekstremiste e djathtë. Dhe Emmanuel Macron paralajmëroi zgjedhësit në takimin e madh elektoral në La Defense Arena në Paris nga rreziku djathtist. “Rreziku i ekstremizmit ka arritur kulme të reja (…) sepse urrejtja dhe të vërtetat alternative janë normalizuar.”
Macronit i duhet të mobilizim
Edhe pse vlerat e dy kandidatëve kryesorë janë normalizuar, sondazhet e shohin Macron si fitues të raundit të dytë në fund të prillit. Por distanca në rezultate pritet të jetë më e vogël se para 5 vjetësh. Tani gjithçka varet nëse, Macron do t’ia dalë të mobilizojë votuesit, sepse ende shumë francezë janë të pavendosur. Macron po përpiqet me sulme të ashpra kundër krahut të djathtë të fitojë sërish terren. Kritikës së qeverisë polake, se ende vazhdon të mbetet në kontakt me Putinin, Macron iu kundërpërgjigj. “Unë i mbetem zgjedhjes sime, të flas më Rusinë (…) dhe unë nuk kanë qenë kurrë bashkëpunëtor (i Putinit), si disa të tjerë.” Nënkuptohej që fjala ishte për Marine Le Pen.
Por Macron duhet të pyesë veten, nëse ishte e gabuar fillimi kaq i vonuar i fushatës zgjedhore. Ai donte në fillim t’i qëndronte larg betejës baltosëse mes kandidatëve të ekstremit të majtë e të djathtë. Shumë francezë e shohin si kompetent Macronin, por edhe si anëtar arrogant të elitës së urryer.
Ndërkohë në duelin e sërishëm mes Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen kandidatët e tjerë mbeten jashtë loje. Si Valerie Pecresse, që donte të çonte partinë konservatore në fitore. Ajo dështoi, ashtu si edhe kandidatët e majtë socialistë, që nuk arritën të binin dakord as për një grua si kandidate./DW