Aktualitet Kujtime nga koha kur luaja futboll me “Minatorin” – Një bisedë me...

Kujtime nga koha kur luaja futboll me “Minatorin” – Një bisedë me aktorin e mirënjohur, Vasil Vaso për Memaliajn

Ekipi “Minatori” i vitit 1958. Në rreth Vasil Vaso

– Pjesa e gjashtë, pjesën e pestë e lexoni këtu

Janë të shumta kujtimet me sportin, ku edhe unë jam aktivizuar për disa vite, me ekipin “Minatori” të Tepelenës.

Si fillim, kam luajtur në vendlindjen time, Sotirë, në krahinën e Dropullit. Luanim shumë dhe topat i kishim prej lecke.

Kur shkova me studime në shkollën e mesme, “Politeknikumi 7-Nëntori”, në Tiranë, fillova të luaja futboll me top origjinal, për 4-vjet rresht, sa mbarova shkollën.

Kur u emërova  në Memaliaj, u njoha me shokët e punës dhe të qytetit. Në atë kohë, nuk kishte shumë djem në shkollë të mesme dhe ekipi kishte nevojë për lojtar. Në ofiçinë kisha edhe një tornitor nga Bença dhe quhej, Sefi Pazaj.

Pasi mësova se ai luante futboll me ekipin e “ Minatorit”, fillova t’i tregoja se edhe unë e kisha shumë pasion. Më propozoi që të vazhdoja të luaja me ekipin dhe më çoi tek trajner Karafil Asllan Caushi, ku biseduam rreth aktivizimit tim me ekipin. Ai, pasi na dëgjoi, pranoi dhe unë fillova të shkoja në stërvitje çdo mbasdite.

Isha i shpejtë, i shkathët, por më mungonte eksperienca, pra teknika…

Megjithatë shokët e skuadrës, më donin dhe vazhdova të marr pjesë, deri në vitin 1962, në kohën kur u largova për në universitet.

Përgjatë kohës që luaja futboll, paralelisht, merrja pjesë dhe në Estradën e qytetet, me regjisorin e mirë, Spiro Taçi dhe me drejtues muzike, Spiro Kreci.

Me ekipin e futbollit, jam aktivizuar në vitin 1958. Në atë kohë, kapiten ka qenë, Karafil Asllan Caushi, cili ka merita të mëdhaja dhe të veçanta, për themelimin dhe zhvillimin e futbollit në rrethin e Tepelenës. Në atë kohë, kishte shumë interes për futbollin nga të gjitha qytetet dhe akoma më shumë në qytetin tonë. Të gjithë e prisnin me padurim të dielën, për të parë ndeshjen e radhës.

Desha të përmendja, se në skuadrën e “Minatorit”, në ato vite ku luaja unë, merrte pjesë edhe një teknik-miniere,  nga Gjirokastra, me emrin, Ahmet Ahmeti, që nuk e pash të shkrujatur në listën tuaj, që i kishit dedikuar historikut të futbollit në vitet e para dhe që kishit përmendur të gjithë lojtarët. Gjithashtu, me ekipin tonë ka luajtur edhe një agronom,  me emrin Hasan, që mbiemri i tij nuk më kujtohet. Më vonë erdhi në Fier…

Bazë materiale kishte me pakicë,  po e mjaftueshme për atë kohë. Markën e tyre, nuk e mbaj mend. Ekipi merrte dieta, vetëm kur dilte për ndeshjet jashtë Memaliajt. Nuk e di nëse trajneri paguhej diçka më shumë, por besoj se po. Në lidhje me tifozerinë, incidentet ishin të rralla. Do të shpreh një rast, në një moment tjetër, kur kemi luajtur me Himarën.

Kujtimet nga sporti  më kanë ndjekur gjithmonë, pasi janë nga më të larmishmet! Futbolli ishte një aktivitet nga më të bukurat në Memaliaj.

Skuadra, në ato vite, ishte pagëzuar me emrin “Minatori” i Tepelenës dhe që përfaqësonte gjithë trevat e këtij rrethi. Në ato vite, qyteti i Tepelenës nuk kishte skuadër. Fusha e sportit, ku zhvilloheshin ndeshjet e të dielave, mbushej me sportdashës, ku midis tyre kishte vajza dhe gra memaliote, të cilët nuk linin ndeshje pa parë.

Në grupin e Kategorisë së Tretë, ku bënte pjesë dhe “Minatoti”, ishin këto skuadra: “Butrinti” i Sarandës, “Bistrica” e Delvinës, Përmeti (nuk mbaj mend emrin e skuadrës), “Vetëtima” e Himarës. Ndeshjet bëheshin çdo 15 ditë, me sistemin, vajtje-ardhje dhe ky grup përfaqësonte jugun.

Një grup tjetër, përfaqësonte veriun dhe në fund, ndesheshin dy skuadrat e para të çdo grupi. Kush fitonte nga këta dy ekipe, hynte në Kategorinë e Dytë. Për ekipin tonë, kjo ngjitje u arrit mbas 5 vjetësh.

Po ju shpreh një kujtim, nga ndeshja në Përmet. Përmeti kishte një skuadër të mirë, që përbëhej nga lojtar kryesisht me nxënës gjimnazistë të vitit të katërt.

Lojtari më i mirë i tyre, ishte një berber, me emrin Vangjush dhe luante centrefor.

Fusha ishte këtej lumit Vjosë dhe i gjithë qyteti vinte për të parë ndeshjen. Sportdashësit qëndronin nga të dy anët e fushës. Unë, nuk isha ndonjë lojtar i mirë dhe më fusnin të luaja në pjesën e dytë. Isha biond me flokë kaçurrel.

Lojtari më i mirë i “Minatorit”, ishte Karafil Asllani Caushi, i cili luante qendër mbrojtës. Ndeshja filloi dhe vazhdonte  barazim me rezultatin 1-1. Në 20 minutat e fundit, më aktivizuan edhe mua.

Isha i shkathët, dhe i shpejtë,  por më mungonte teknika.. Vrapoja dhe kot pa top dhe thosha me vete: – Ishalla nuk ma hedhin topin, se ku do e çoj. Luaja sulmues dhe mbaja bluzën me numrin 8, ndërsa numrin 7, e mbante Eqerem Braja dhe ishte një lojtar shumë i mirë.

Në një moment, mua më vjen një pasë dhe fillova të vrapoja duke parë anash, se mos më ndiqte ndonjë lojtar. Topi u godit dhe vajti tek shtylla, dhe jashtë….

Të dy lojtarët, ramë në tokë. Kur u ngritëm, pamë njëri-tjetrin.

Isha unë dhe Eqeremi i së njëjtës skuadër. Se kush e goditi topin, nuk e morëm vesh, por nuk u vramë.

Tifozët e Përmetit, filluan të frikësohen, pasi nuk u pëlqente të kumbisnin. Rezultati vazhdonte 1-1 dhe ata filluan të bërtisnin:

Mbajeni biondin….

Mbajeni biondin….

Nuk e dinin se unë, isha lojtari më i dobët dhe lëvizja kot. Ndeshja mbaroi në barazim, por për ne, ishte fitore, pasi luanim në fushë të huaj.

Përgatiti Edmond Ismailati

Prill 2022