Takimi mes kancelarit austriak, Karl Nehammer dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë ishte shumë i vështirë dhe jo miqësor.
Për 75 minuta nuk la gur pa lëvizur për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Por kancelari austriak, Karl Nehammer, udhëheqës i një shteti neutral ushtarak, nuk arriti të bindë presidentin, Vladimir Putin, që të ndalojë konfliktin apo sulmet ndaj vendit fqinj.
Nehammer është lideri i parë i një vendi të Bashkimit Europian që shkel tokën ruse pas nisjes së pushtimit në Ukrainë dhe i pari që takon ballë për ballë atë që dha urdhrin për të sulmuar.
Vizitën në Moskë e konsideroi jo miqësore, pas asaj që dëshmoi gjatë qëndrimit në Ukrainë, ku pa me sytë e tij masakrën në Bucha. E tillë ishte dhe pritja e Putinit, e ftohtë, pa shtrëngim duarsh, ndërsa biseda u konsiderua e drejtpërdrejtë, e hapur dhe e ashpër.
Mesazhi më i rëndësishëm i përçuar nga kancelari austriak për presidentin rus ishte se “në një luftë ka vetëm humbës dhe asnjë fitues”.
“Adresova krimet e rënda të luftës në Bucha dhe vende të tjera dhe theksova që të gjithë përgjegjësit duhet të çohen para drejtësisë. Unë gjithashtu i thashë Presidentit Putin se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi dhe do të vazhdojnë të forcohen për sa kohë që njerëzit po vdesin në Ukrainë”, u shpreh kancelari.
Negociatat me presidentin Putin për t’i dhënë fund luftës i konsideroi një detyrë, me synimin që të paktën të arrinte një armëpushim për të lejuar dërgimin e ndihmave humanitare apo largimin e civilëve nga zonat e rrezikut.
“BE është më e bashkuar se kurrë për këtë çështje. Ia bëra të qartë edhe presidentit rus se ka nevojë urgjente për korridore humanitare për të dërguar ujë të pijshëm dhe ushqime në qytetet e rrethuara dhe për të nxjerrë jashtë gra, fëmijë dhe të plagosur”, shtoi kancelari.
Pas ballafaqimit me Putin në rezidencën e tij në Moskë, lideri i Austrisë do të kthehet për të informuar vendet europiane për bisedën e tij dhe diskutuar hapat e mëtejshëm.