Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur me kundër akuza deklaratave të Lulzim Bashës që SPAK të hetojë personat non grata.
Në një deklaratë për mediat ai tha se personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare e shqiptare është Lulzim Basha. Ai kërkoi nga gazetarët ta pyesin Bashën pse u kthye nga udhëtimi për në SHBA.
“Personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare e shqiptare është Lulzim Basha prandaj pyeteni se për ç’arsye u ktheve nga Roma në Tiranë dhe nuk shkove dot në SHBA që të bëjë transparencë. E ka të hapur dosjen nga FBI. U nis me Gjekmarkaj në Uashington”.
Berisha theksoi se Rama i ka mbyllur Bashës dosjen ruse, dosje të cilën ai vetë e kishte mohuar më parë që të ishte e tillë.
“Ju duhet të pyesni pse Rama të mbylli dosjen e rusëve? Për të mos thënë pastaj për dosjen përvëluese të Toyota Yaris. Pyeteni pak. Nëse ka një njeri që për afera konkrete duhet të pyetet pas Edi Ramës dhe ministrave të tij është pikërisht Lulzim Basha. Rama deklaroi se Bashës i ka mbyllur dosjen ruse. Ajo që unë në atë kohë e mohoja që ka qenë ruse ka qenë ruse është shumë thjesht e investigueshme dhe e hetueshme. Basha është anëtar i grupit parlamentar, ka procesin me FBI me drejtësinë belge në mos dhe ndonjë drejtësi tjetër pastaj, por afera është ndërkombëtare”.
Por Berisha mohoi t’i çojë në SPAK akuzat ndaj Bashës, pasi sipas tij është krijesë e PS-së.
“Kush e mbylli dosjen? SPAK dhe Edi Rama mbylli dosjen. A nuk tha Rama që SPAK është krijesë e PS dhe unë të kërkoj të hapin dosjen?”
I pyetur nëse i druhet SPAK, ai u përgjigj: “Asgjëje mbi tokë nuk i druhem se kam kodin tim të pathyeshëm dhe ky është mendimi i Sali Berishës”.