Të gjithë të dhënat mund të ndërtojnë provën e një revolucioni të pashmangshëm në shtëpinë e Juventusit. Alex Del Piero që rikthehet në Stadium 10 vjet pas lamtumirës i përshëndetur nga ovacionet e publikut, kritikat në rrjetet sociale të Lapo Elkann ndaj Allegrit, deklaratat në favor të Conte nga Evelina Christillin, gjithmonë shumë pranë Juventusit dhe një pakënaqësi e përgjithshme për administrimin e sezonit, po ushqejnë zërat për ndryshime të mundshme në sektorët kyç të klubit torinez.
Hipoteza se Andrea Agnelli mund të zëvendësohet në krye të Juventusit nuk është e re. Që në fund të sezonit të kaluar u fol për mundësinë që John Elkann të vendoste në vend të tij motrën e tij Ginevra. Raportet mes presidentit aktual dhe Del Pieros nuk janë veçanërisht idilike dhe, në rast se Andrea do të largohej, flamuri i Juventusit mund të luante rolin e presidentit të nderit, duke kryer funksionet e ambasadorit të klubit me fuqi vendimmarrëse. E lehtë ta mendosh, në këtë pikë, se edhe Nedved do të detyrohej të dorërhiqej.
Pastaj është edhe kapitulli Allegri. Është e vështirë, nëse jo e pamundur, të mendosh se ai mund të largohet me një kontratë që skadon në vitin 2025 me shifra veçanërisht të shtrenjta. Megjithatë, nuk ka dyshim se situata e tij nuk është e qetë te Juventus. Gjithçka do të varet nga fundi i sezonit. Me një fitore të mundshme në Kupën e Italisë dhe sigurimin e mundshëm të vendit të katërt, viti i bardhezinjve mund të konsiderohet jo plotësisht i dështuar.
Megjithatë, mbetet fakti se një largim nga skena i sponsorit kryesor të tij, Andrea Agnelli, mund ta shtyjë shoqërinë të bëjë zgjedhje të ndryshme. Allegri ka admirues në të gjithë Evropën dhe një thirrje e mundshme nga një klub prestigjioz do të vlerësohej me kujdes nga trajneri aktual i Juventusit. Tweet-et e Lapos dhe fjalët e Christillin (“E kujtoja me më shumë uri dhe dëshirë për hakmarrje, tani duket pak i kënaqur, më i miri është Conte), megjithatë, lënë të kuptohet qartë se Max nuk gëzon më besimin e pakufizuar të mjedisit bardhezi.