Sindikata e minatorëve akuzoi policinë për fshehje të aksidentit në të cilin një minator 54 vjeç pësoi fraktura në këmbë gjatë punës në galeritë e kromit në Bulqizë dhe u përcoll për ndihmë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Nga Sami Curri – BIRN
Një minator, pësoi fraktura në këmbë gjatë punës në galeritë e kromit në Bulqizë dhe u përcoll për ndihmë në spitalin e Traumës në Tiranë. Njoftimi është bërë me dije fillimisht nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës të martën, ku thuhet se aksidenti ka ndodhur ditën e hënë në galeritë e kromit të kompanisë Albchrome, por ishte mbajtur i fshehur.
“Minatori 54-vjeçar Arben Stafa ka humbur njërin nga gishtat e këmbës dhe është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Siç ndodh rëndom tashmë, ky aksident është tentuar të mbahet i fshehtë”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen në Facebook të SMBB.
BIRN ju drejtua edhe kompanisë Albchrome –pjesë e grupit turk Yildirim, koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës lidhur me shkaqet e këtij aksidenti, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk mori përgjigje.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës akuzoi Policinë e Shtetit edhe mediat se nuk e kanë bërë publike aksidentin e ndodhur në galeritë e kromit të Albchrome. “Kjo praktikë e vazhdueshme e zhvlerësimit të shëndetit dhe jetës së punëtorëve, është e dënueshme”, thuhet në njoftimin e SMBB.
Pyetur nga BIRN, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, mohoi akuzat dhe deklaroi se për rastin në fjalë janë kryer të gjitha veprimet dhe janë referuar materialet në Prokurorinë e Dibrës. “Ngjarja nuk është mbajtur e fshehtë nga policia dhe kjo ngjarje është e publikuar në webin e Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën me shkrim nga DVP Dibër.
Aksidentet në punë vijojnë të mbeten një problem në vend, ndërsa siç BIRN ka gjetur më herët ato në pjesën më të madhe nuk hetohen dhe kryesisht faji u mbetet viktimave.
Numri i aksidenteve në punë dhe i aksidenteve fatale në vendin e punës apo për shkak të punës, mbetet thuajse i pandryshuar vit pas viti. Për vitin 2021 nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore janë regjistruar si të aksidentuar në punë 185 punonjës, tre më shumë se një vit më parë. Ndërkohë numri i punëtorëve që humbën jetën ra nga 36 në vitin 2020 në 33 me humbje jete.
Minierat dhe ndërtimi mbetën sektorët me më shumë raste aksidentesh fatale, ndërsa vitin që kaloi u rrit numri i aksidenteve të rënda në sektorin e energjisë ku humbën jetën kryesisht elektricistë të punësuar në kompani publike. Ndërkohë njëlloj si në vitet e shkuara edhe pse me një popullsi shumë herë më të vogël, Dibra ishte qarku i dytë për nga viktimat për shkak të pesë të vrarëve në minierat e këtij qarku.
Aksidentet e rënda në punë kanë vijuar edhe gjatë këtij viti. Dy persona u vranë në një aksident në një minierë në Tropojë, ndërsa një 19-vjeçar humbi jetën në Portin e Durrësit.