Kryesore Parlamenti Europian voton pro çeljes së negociatave me Shqipërinë

Parlamenti Europian voton pro çeljes së negociatave me Shqipërinë

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë sërish dritë jeshile për çeljen e negociatave.

Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian votoi me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime raportin e Isabel Santos mbi vlerësimin e Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në integrimin europian gjatë 2021.

Duke përgëzuar vazhdimësinë e Shqipërisë si një partner i besueshëm dhe i përkushtuar i politikës së jashtme, në përputhje plotësisht me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, raporti Santos i bën thirrje BE-së të “vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historike të rëndësishme të sigurisë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës”.

Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të vonuara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin me qytetarët e këtyre vendeve.

Ky dështim, sipas tyre, minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi. Eurodeputetët theksojnë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian.

Por pavarësisht mbështetjes në Parlamentin Evropian, çelja e negociatave duket e vështirë për shkak të vetos kundër të Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut.

Qëndrim ky që prek edhe Shqipërinë, pasi Bashkimi Evropian vijon të trajtojë procesin për dy shtetet si një të vetëm, pavarësisht zërave që vijnë nga Tirana për të vijuar pa Shkupin etapat e integrimit.