Aktualitet “Ushtari” i Nuredin Dumanit zbardh në SPAK vrasjet e bujshme të Elbasanit

“Ushtari” i Nuredin Dumanit zbardh në SPAK vrasjet e bujshme të Elbasanit

Një prej bashkëpunëtorëve të Nuredin Dumanit, i dyshuar për disa ngjarje kriminale në Elbasan, ka nisur të bashkëpunojë me prokurorët. I arrestuari bashkë me Dumanin, Enrik Hoxhaj, mësohet se ka treguar detaje të ngjarjeve ku ka marrë pjesë. Pas dëshmisë së tij, prokurorët e SPAK kanë tërhequr nga Elbasani dosjet e tri ngjarjeve pa autor të ndodhura në këtë qytet vitet e fundit.

Një prej bashkëpunëtorëve të Nuredin Dumanit, ka nisur bashkëpunimin me prokurorët e SPAK, duke ngjallur shpresën se do të zbardhë serialin e ngjarjeve pa autor në zonën e Elbasanit gjatë viteve të fundit. Ora News raporton nga burime të prokurorisë se Enrik Hoxhaj, mik i ngushtë i Nuredin Dumanit, ka pranuar të flasë dhe të bashkëpunojë, duke treguar ngjarjet kriminale në të cilat ai ka marrë pjesë.

Për shkak edhe të dëshmisë së tij, SPAK ka kërkuar tërheqjen e tri dosjeve penale nga prokuroria e Elbasanit, siç është dosja e vrasjes së Bujar Çelës, vrasjes së Klevis Bahos e plagosjes së vëllait të tij, Sandër Baho si dhe dosjen e përplasjes me armë në zonën e Papërit, ku Nuredin Dumani ra në prite dhe u plagos rëndë.

Mësohet se Enrik Hoxhaj, ka folur edhe për vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan, dosje kjo që prej më shumë se një viti ndodhet në SPAK, dhe aktualisht janë marrë të pandehur, Erjon Alibej alias Agim Shurbi dhe Xhulian Hoxha e Euglen Halili.

Dëshmia e Hoxhaj duket se do ndihmojë shumë prokurorët që të zbërthejnë prapaskenën e krimeve në Elbasan dhe njëherësh të sjellë arrestime të tjera. Hoxhaj mësohet se u ka treguar prokurorëve edhe për bazat e strehimit dhe veprimtarinë e tyre në Kosovës, gjë e cila mund të sjellë në vijim dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës.

Sipas policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, gjatë kohës kur Dumani ka qënë në kërkim, Hoxhaj ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me të. Aktualisht, Henrik Hoxhaj po ndiqet penalisht nga prokuroria e Elbasanit për “vrasje me paramendim mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Për të njëjtat akuza dhe atë të vrasjes me paramendim ndaj Bujar Çelës, momentalisht akuzohet dhe Nuredin Dumani. /RTV Ora