Italia ka festuar me fitore ndeshjen e 800-të për përfaqësuesen azzurre, e cila përballej me Shqipërinë për të tretën herë.
Ndërsa kombëtarja jonë, edhe pse humbi, arriti objektivin, duke mbajtur vendin e tretë në grup.
Sfida ndaj Italisë shënoi gjithashtu edhe përfundimin e kësaj fushate eliminatore të Kupës së Botës “Rusi 2018”, por njëherësh edhe zyrtarisht mbylljen e karrierës së kapitenit legjendar të Shqipërisë, Lorik Cana.
Pavarësisht kësaj disfate, por të favorizuar edhe nga fitorja e Spanjës ndaj Izraelit me rezultatin 0-1, kuqezinjtë kanë menaxhuar të ruajnë vendin e tretë në klasifikimin e Grupit G, në kuotën e 13 pikëve, 1 më shumë se Izraeli.
Maqedonia mposhti me rezultatin 4-0 Lihtenshteinin, për ta mbyllur këtë fushatë eliminatore në vend të pestë të klasifikimit të Grupit G, pas Izraelit, me 11 pikë.
Një turne i mbyllur me nder dhe lojë të bukur, ndonëse pa mundur dot të shpërblehej me rezultat pozitiv.
Ndeshja
Kuqezinjtë u përballën si të barabartë ndaj italianëve, ndërsa në minutat e para Panucci u kërkonte vazhdimisht të bëjnë presing të lartë. Italia nga ana tjetër, luante shumë e kujdesur dhe mundohej të mbajë kontrollin e topit dhe të sulmojë gradualisht.
Në 45 minutat e para, kuqezinjtë godasin tre herë rrezikshëm drejt portës së Buffon, ndërsa Italia kërcënon vetëm një herë Berishën, me anë të Immobiles.
Edhe pjesa e dytë foli më shumë për kuqezinjtë, që kërkonin me ngulm të shënonin në portën e Buffon dhe iu afruan në disa raste, veçanërisht me goditjen e Grezdës dhe një krosim në zonë që për pak nuk u dërgua në portën e tij nga Chielini.
Por, golin e shënuan italianët, që shfrytëzuan mjaft mirë një gabim në vendosje të kapitenit Agolli, dhe kaluan në avantazh me anë të Candrevës.
Në fund, humbim 0-1, por arrijmë objektivin, duke mbajtur vendin e tretë në grup.