Bota Mijëra gra palestineze dhe izraelite, marshim paqeje në shkretëtirë (FOTO)

Mijëra gra palestineze dhe izraelite, marshim paqeje në shkretëtirë (FOTO)

Mijëra gra izraelite dhe palestineze marshuan të dielën nëpër shkretëtirë për t’u bashkuar në brigjet e lumit Jordan, ku mbajtën një tubim paqeje midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Të veshura me të bardha, ato zbritën nga kodrat e thata dhe shkëmbore deri te lumi dhe atje ngritën një “tendë për paqe” të quajtur Hagar (Haxhere) dhe Sara, sipas nënave biblike e njëherësh kur’anore të Ismailit dhe Is’hakut, gjysmë vëllezërve dhe paraardhësve të myslimanëve dhe hebrenjve.

“Ne jemi gra nga e majta, e djathta, hebrenje dhe arabe, nga qytete dhe fshatra … kemi vendosur që të ndalim luftën e ardhshme”, tha Marilyn Smadja, një nga themeluesit e grupit “Gratë për Paqe”.

Pothuajse 5,000 gra morën pjesë në këtë marshim, njoftuan organizatorët.

Tubimet filluan muajin e kaluar në disa vendbanime izraelite dhe do të përfundojnë para zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Organizata “Gratë për Paqe” u themelua pas luftës pesëdhjetë ditore në Gazë në vitin 2014, ku u vranë më shumë se 2,100 palestinezë, kryesisht civilë.

Sipas të dhënave izraelite, 67 ushtarë izraelitë dhe gjashtë civilë vdiqën gjatë përleshjeve.